Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRama: Leku është forcuar për shkak të rritjes ekonomike, jo pasojë e parave të pista

Rama: Leku është forcuar për shkak të rritjes ekonomike, jo pasojë e parave të pista

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pretendimeve se zhvlerësimi i euros lidhet me para informale apo burime të paligjshme në vend, duke e cilësuar këtë një gënjeshtër.

Rama tha se leku është forcuar përballë euros, duke e cilësuar këtë si një tregues të rritjes së ekonomisë shqiptare dhe se dezinformata të tilla dëmtojnë imazhin e vendit.

“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë. Në një vend ku hyjnë çdo vit miliarda e miliarda”, u shpreh Rama.

Sipas tij, nëse do të kishte probleme serioze me burimet e të ardhurave do të evidentoheshin nga institucionet dhe tregjet ndërkombëtare financiare që monitorojnë ekonominë shqiptare.

“Të flasësh për narko e gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh shumë vetë që kanë nevojë për lajme të këqija, por është pa lidhje. A ka ekonomi informale në Shqipëri? Sigurisht që ka. Edhe para të pisët ka, por ku nuk ka?”, tha Rama.

Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për një rënie të euros, por për një forcim të monedhës vendase, që lidhet me rritjen ekonomike të qëndrueshme.

“Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë, duke qenë shqiptar, këtë lloj kostumi kaq të ndyrë. E vërteta nuk është se ka rënë euro, por është forcuar leku dhe kjo është rezultat i rritjes ekonomike”, përfundoi Rama.

Lini një koment