Rama: Mbi 10 mijë vetë në natën e parë te Festës së Birrës në Korçë
Mbi 10 mijë persona morën pjesë në natën e parë të edicionit të 20-të të Festës së Birrës në Korçë, e cila këtë vit zhvillohet për herë të parë në Polin e Eventeve në Drenovë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga nata e parë e aktivitetit, duke vënë në dukje transformimin e hapësirës së re në një arenë të rëndësishme për eventet dhe turizmin.
“Arena e re e Polit të Industrive Kreative, në Drenovë, ka mbledhur mbi 10 mijë vetë në natën e parë të Festës së Birrës dhe trefishin e sipërmarrjeve krahasuar me edicionin e vjetshëm. Ky projekt i këtij Poli Inovativ po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në partneritet me Bashkinë Korçë, si pjesë e vizionit për rajonin Korçë-Berat-Gjirokastër”, tha Rama.
Festa e Birrës, e kthyer prej dy dekadash në një prej aktiviteteve më të rëndësishme turistike të Korçës, nisi ditën e djeshme në 12 gusht dhe do të vazhdojë me katër net të dedikuara muzikës, birrës, gastronomisë dhe argëtimit.
Poli i ri i Eventeve në Drenovë është një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në partneritet me Bashkinë Korçë, pjesë e vizionit për zhvillimin e rajonit Korçë-Berat-Gjirokastër.
Arena synon të shndërrohet në një hapësirë të përhershme për koncerte dhe aktivitete të mëdha kombëtare e ndërkombëtare, duke i dhënë një dimension të ri turizmit të eventeve në Korçë.
Për të lehtësuar aksesin e vizitorëve, është vënë në dispozicion transport falas nga ish-Agjencia në Pazarin e Vjetër, prej nga autobusët nisen çdo 15 minuta drejt zonës së eventit.
Poli i Eventeve ofron rreth 1 mijë vende parkimi, si dhe hapësira të dedikuara për koncerte, gastronomi dhe familje. Hyrja në aktivitet është falas.
Festa e Birrës vijon edhe në netët në vijim, duke pritur mijëra vizitorë vendas dhe të huaj në Korçë.