Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaRama me shqiptarët në Detroit: Shqipëria nuk është më një adresë që mungon në hartën e botës, por një vend ku mblidhet bota e lirë

Rama me shqiptarët në Detroit: Shqipëria nuk është më një adresë që mungon në hartën e botës, por një vend ku mblidhet bota e lirë

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me diasporën shqiptare në Detroit, u ndal te roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe te Samiti i ardhshëm i NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë. Rama tha se vendi ka kaluar nga një periudhë kur “trokiste në dyer që nuk i hapeshin”, në një fazë ku pret liderët e botës për të diskutuar çështjet strategjike të së ardhmes.

“Shqipëria është vendi ku do të zhvillohet Samiti i ardhshëm i NATO-s, ku të gjithë liderët, me agjendën më të rëndësishme strategjike, do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar ecurinë dhe hapat e mëtejshëm të NATO-s. Sot Shqipëria nuk është një adresë që mungon në hartën e botës, por një adresë ku mblidhet bota e lirë për të diskutuar për të nesërmen e saj”, tha Rama.

Ai e krahasoi këtë situatë me të kaluarën e Shqipërisë, duke theksuar se vendi dikur kërkonte të hapte dyer që nuk i hapeshin, ndërsa sot, sipas tij, është pjesë e tryezave ku merren vendime të rëndësishme.

“Shqipëria që dikur trokiste në dyer që nuk i hapeshin, sot nuk pret më në korridor, por është pjesë e të gjitha hapësirave se ku duhet të jetë”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se pesha e Shqipërisë nuk lidhet me fuqinë e saj ushtarake, por me respektin dhe rolin që vendi ka fituar në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Shqipëria nuk ka një forcë ushtarake që të imponohet kudoqoftë, por sot Shqipëria është një vend që jo vetëm jep respekt, por merr respekt dhe vlerësohet reciprokisht me të tjerët. Shqipëria është sot në formim e sipër, që po shikohet nga të gjithë, ku secili jep kontributin e vet. Shqipëria sot nuk është më ajo që ishte fatkeqësisht deri dje, një vend që linte zbuluar njerëzit e vet, në pamundësi për t’i mbrojtur ata. Sot Shqipëria është mburoja më e mirë e çdo shqiptari, kudo që ndodhet, dhe është një emër dhe flamur që e respektojnë të gjithë. Sot Shqipëria është një identitet ku të gjithë qëndrojnë me respekt”, tha Rama.

Lini një koment