Rama në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj: Deri në 2030 pagat e FA-së sa mesatarja e NATO-s
Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmjen e kësaj të mërkure në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Rama uroi prindërit e të diplomuarve dhe vlerësoi përkushtimin e të rinjve që nisën zyrtarisht shërbimin në uniformë për Shqipërinë dhe Kosovën. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë ditë si një moment krenarie për Forcat e Armatosura, duke sjellë në vëmendje edhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin ato në të kaluarën ndërsa theksoi se transformimi i Forcave të Armatosura ka ardhur pas një periudhe të vështirë.
“Nuk e ekzagjeroj kur them se sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, për trupën pedagogjike dhe Shtabin e Përgjithshëm. Është krenari sepse dihet në çfarë situate ka nisur ringritja e FA-së. Kjo fushë që na mirëpret ka qenë një fushë dheu e papërdorshme. Sot FA janë të mbështetura, të motivuara, jo vetëm me fjalë”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se dikur ushtarakët shqiptarë ishin ndër më të keqpaguarit në rajon, ndërsa sipas tij sot situata ka ndryshuar. Ai shtoi se rritja e pagave do të vijojë me objektivin që deri në vitin 2030, pagat e Forcave të Armatosura të arrijnë nivelin mesatar të vendeve të NATO-s.
“Kur kjo fushë ishte një pasqyrë dheu, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni dhe edukata. Ishin më të keqpaguarit në rajon dhe kishin një buxhet qesharak. Sot kemi forcat më të mirëpaguara dhe nuk do të ndalemi asnjë vit. Objektivi ynë është që deri në vitin 2030 Forcat e Armatosura të jenë të paguara mesatarisht sa ato të NATO-s”, deklaroi Rama.
Në përfundim të fjalimit, kryeministri bëri të ditur se qeveria ndodhet në fazën përfundimtare për miratimin e statusit të ushtarakut.
“Kemi një zotim për statusin e tyre, është raundi i fundit. Edhe këtë së shpejti do ta japim si lajm”, tha Rama.