E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama: Nuk na duhet vetoja për t’u ulur në tryezën e BE. Shqetësuese rritja e nacionalizmit në Europë

Rama: Nuk na duhet vetoja për t’u ulur në tryezën e BE. Shqetësuese rritja e nacionalizmit në Europë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke u ndalur te çështja e së drejtës së vetos dhe te prirjet nacionaliste në disa vende europiane.

Duke folur në Forumin “Intelligence on the Ëorld, Europe and Italy”, Rama tha se Shqipërisë nuk i nevojitet domosdoshmërisht kompetenca e vetos për t’u bërë pjesë e proceseve dhe tryezave europiane.

Sipas tij, integrimi gradual është mënyra më e mirë për ta afruar Shqipërinë me BE-në.

“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër. Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne”, vijoi Rama.

Më tej, Rama ngriti shqetësimin për rritjen e prirjeve nacionaliste në disa vende europiane, të cilat, sipas tij, bien ndesh me idenë e një Europe të bashkuar.

“Ajo që shoh si problem të jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për unitetin dhe të ardhmen e përbashkët janë prirjet nacionaliste që shohin vetëm nga brenda në shumë vende të Europës, në një kohë që ato duhet të ishin fari i Bashkimit Europian. Për ne, kjo është dëshpëruese”, u shpreh Rama.

Lini një koment