Rama pas mbledhjes me ministrat e drejtuesit politik të PS: Detajuam programin për sezonin e ri. Në nëntor Konferenca për “Shqipërinë Sociale”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbledhjes me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të premte në Sauk.
Në fokus të diskutimeve ka qenë programi i sezonit të ri, ndërsa Rama ka bërë të ditur se një Konferencë e posaçme Kombëtare për nismën “Shqipëria Sociale” do të zhvillohet në muajin nëntor.
Sipas kryeministrit, gjatë mbledhjes u diskutua progresi i bërë në hartimin e kësaj nisme të integruar, që pritet të prezantohet më gjerësisht në konferencën e nëntorit.
“Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar ‘Shqipëria Sociale’, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor,” shkruan Rama.
Rama bëri të ditur se në takim është vijuar puna edhe për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur me kalendarizimin e nismës “Prania Besnike” në çdo territor si dhe forcimi i ndërveprimit mes qeverisë dhe deputetëve, me synim përmirësimin e shërbimeve publike.
Rama njofton gjithashtu se është diskutuar hartimi i ndryshimeve ligjore për “Pasqyr Albania”, platformën e re për ndjekjen dhe trajtimin e problematikave të qytetarëve.
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i ‘Pranisë Besnike’ në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për ‘Pasqyr Albania’,” shkruan Rama.
Në një takim që zgjati rreth dy orë, Rama kërkoi që drejtuesit politikë të nisin menjëherë takimet në qarqe, ndërsa ministrat të angazhohen në zgjidhjen e problematikave të evidentuara.
Në mbledhje u diskutua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, për ndjekjen e ankesave të qytetarëve, si dhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”.