Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRama për Italpress: Procesi për hyrjen e Shqipërisë në BE është i pandalshëm

Rama për Italpress: Procesi për hyrjen e Shqipërisë në BE është i pandalshëm

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetaren Anna La Rosa të agjencisë Italpress, ka trajtuar çështjet kryesore politike që lidhen me Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Europën.

Sa i përket rrugëtimit europian, Rama e përshkroi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si të pakthyeshëm. Ai theksoi se askush nuk mund ta ndalojë këtë proces.

“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar, për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian,” tha Rama.

Në lidhje me marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët, Rama tha se “u bë shumë zhurmë për diçka që nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim.” Sipas tij, koha e humbur në debate të kota është problemi i vërtetë që duhet adresuar.

“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim, një tentativë për të gjetur një drejtim dhe zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull tjetër i kohës së humbur në beteja që shpesh nuk janë as beteja të vërteta, por përplasje të kota në arenën publike. Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë,” tha Rama.

Rama u ndal edhe te protestat e lëvizjes “Revolucioni i Flamingove”, që kundërshtojnë një projekt resorti në jug të vendit. Ai hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se deri më sot nuk janë paraqitur prova konkrete dhe se procesi është ende në zhvillim. Rama shtoi se qeveria nuk ka lidhje me zhvillimet në tokën private ku diskutohet projekti, pasi nuk ka ende leje ndërtimi.

“Prej vitesh jam akuzuar për gjithçka të mundshme. Nuk e di nëse ka mbetur ende diçka që nuk më është atribuar,” tha ai, duke shtuar se kjo situatë “më shkakton një dhimbje të thellë sepse në këtë pikë nuk bëhet më fjalë vetëm për mua, por për Shqipërinë. Si mund të përgjigjesh? Kemi arritur në pikën ku duket se është përmbysur një parim themelor: duhet të jenë ata që bëjnë akuza që të sjellin prova, jo i akuzuari që duhet të provojë vazhdimisht pafajësinë e tij. Ky i ashtuquajtur “Revolucion i Flamingove” në fillim dukej pothuajse si skenari i një filmi. Sot më duket se protesta ka marrë drejtime të tjera dhe është zhvendosur në çështje të tjera. Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani, megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më sot, nuk ka vërtetuar asgjë. Nuk ka prova sepse procesi është ende në zhvillim. Kemi arritur vërtet në një situatë paradoksale”, thekson Rama.

Megjithatë, Rama tha se i kupton arsyet e protestuesve, por kritikoi mënyrën se si çështja është çuar në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar si një “situatë paradoksale” që dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Duke thënë këtë, i kuptoj plotësisht ata që dolën të protestojnë. E kam thënë publikisht: nëse do të isha mes tyre dhe do të dëgjoja gjithçka që thuhej, ndoshta do të ndjeja të njëjtin zemërim dhe të njëjtën indinjatë. Por nëse më pas do të dëgjoja palën tjetër, në këtë rast qeverinë, që më thoshte: ‘Eja, do të të tregoj se nuk ka asgjë nga ato që të kanë thënë, nuk ka prova’, do të ndihesha i qetësuar dhe do të kthehesha në shtëpi. Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë opozitën, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit,” tha Rama.

Lini një koment