Rama reagon për Banjat e Bënjës: Po përhapet propagandë, projekti është për rigjenerimin e zonës
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar pas polemikave të krijuara në rrjetet sociale lidhur me projektin në Banjat Termale të Bënjës, duke i cilësuar pretendimet për shkatërrimin e zonës si “propagandë dhe manipulim”.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se prej 24 orësh po qarkullon një tjetër “raketë digjitale”, e cila sipas tij është përhapur masivisht në rrjetet sociale përmes algoritmeve, me pretendime për “shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës”.
Sipas kryeministrit, në Banjat e Bënjës nuk ka konflikte pronësie, shitblerje apo shkatërrim të zonës, por vetëm një projekt publik rigjenerimi dhe Rilindjeje Urbane.
Reagimi i Ramës:
Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës Me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit