Ramiz Lladrovci: Pamjet e Bacës Jakup duke u larguar nga shtëpia peshojnë mbi ndërgjegjen tonë
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas pamjeve të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi duke u larguar nga shtëpia e tij në Prishtinë, pas përfundimit të vizitës disa ditore pranë familjes.
Lladrovci ka thënë se këto pamje pasqyrojnë pafuqinë dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Pamjet e sotme nga Prishtina, deri sa po largohet nga shtëpia e vet Baca Jakup, peshojnë mbi të sotmen tonë, pafuqinë dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke vënë në dyshim aftësinë, vullnetin dhe dëshirën tonë për ta bërë mbrojtjen meritore të jetës dhe veprës atdhetare të tij dhe bashkëluftëtarëve për Kosovën dhe kombin”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka vlerësuar se Republika e Kosovës ka detyrim të mbrojë ish-krerët e UÇK-së me të gjitha mjetet ligjore, duke kërkuar një angazhim më serioz institucional për mbrojtjen e tyre.
“Ndryshe, dëmi që po i shkaktohet Kosovës sot, do të jetë barrë edhe për gjeneratat”, ka përfunduar Lladrovci./Telegrafi/