Raporti i OBSH: 1 në 7 persona në botë obez, vendet angazhohen ta ulin me 5% deri në vitin 2030
Mbi 1 miliard njerëz në botë jetojnë me obezitet, një problem që po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Për herë të parë, në vitin 2025, obeziteti tejkaloi nënpeshën si forma më e përhapur e kequshqyerjes te fëmijët dhe adoleshentët nga 5 deri në 19 vjeç.
Përballë kësaj situate, Spanja dhe 20 vende të tjera janë bashkuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-in në një nismë globale për të frenuar këtë fenomen, me objektivin për të ulur përhapjen e obezitetit me 5% deri në vitin 2030.
Sipas OBSH-së, që nga viti 1990, obeziteti është më shumë se dyfishuar te të rriturit dhe katërfishuar te adoleshentët.
Plani parashikon masa konkrete, si taksimi i pijeve me sheqer, kufizimi i reklamimit të ushqimeve jo të shëndetshme për fëmijët, ushqyerja e shëndetshme në shkolla dhe nxitja e aktivitetit fizik.
OBSH thekson se obeziteti është një sëmundje kronike komplekse, që rrit rrezikun për diabet, sëmundje kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri.