Real Madrid dhe mesfushori i njohur ndajnë zyrtarisht rrugën. Vjen komunikata e klubit madrilen
Ashtu siç pritej, Dani Ceballos nuk do të jetë lojtar i Real Madridit për sezonin e ri. Mesfushori 28-vjeçar ka vendosur të largohet një vit para përfundimit të kontratës.
Të dy palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe vendimi ka ardhur me marrëveshje të ndërsjelltë. Klubi madrilen ka reaguar përmes një komunikate zyrtare.
“Real Madridi dhe Dani Ceballos kanë vendosur, me marrëveshje të ndërsjellë, t’i japin fund rrugëtimit të tij si lojtar për klubin tonë.
Dani Ceballos ka qenë lojtar i Real Madridit që nga viti 2017, në një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë.
Gjatë shtatë sezoneve që ai ka qenë pjesë e ekipit të parë, ai ka luajtur 215 ndeshje dhe ka fituar 16 tituj: 3 Kupa Evropiane, 4 Kupa Botërore për Klube, 3 Superkupa Evropiane, 2 Liga Spanjolle, 1 Kupë të Mbretit dhe 3 Superkupa Spanjolle.
Real Madridi e falënderon Dani Ceballos për përkushtimin dhe punën e tij të palodhur gjatë kohës së tij me klubin dhe i uron atij dhe familjes së tij fat të mbarë në këtë kapitull të ri të jetës së tyre. Real Madridi është dhe gjithmonë do të jetë shtëpia e tij”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit madrilen.
Destinacioni i ri i Dani Ceballos pritet të jetë Ajax.