Referendumi për ligjin e zonave të mbrojtura, KQZ miraton kërkesën për fletë tip për mbledhje firmash
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën e 12 përfaqësuesve të Lëvizjes Qytetare për t’u pajisur me fletët për mbledhjen e firmave, me synim zhvillimin e një referendumi për anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, të miratuar në vitin 2024.
Kërkesa e parashtruar u konsiderua në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, ndaj KQZ i hapi rrugën nisjes së procedurave për mbledhjen e nënshkrimeve dhe përcaktimit të afateve përkatëse.
“E vlerësojmë këtë kërkesë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Do t’ju pajisim me fletët për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e këtij referendumi të përgjithshëm. Periudha e mbledhjes së nënshkrimeve do të vijojë deri më 31 mars 2027, me pezullim tgjatë muajit dhjetor, nga 1 deri më 31 dhjetor, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor”, deklaroi përfaqësuesi i KQZ-së.
Për nismëtarët, anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura është një domosdoshmëri, pasi, sipas tyre, ai nuk garanton mbrojtjen e këtyre zonave, por i hap rrugë dëmtimit të tyre përmes ndërtimeve.
Ata argumentojnë se ligji bie ndesh me direktivat e Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit
“Lejon, ndër të tjera, ndërtimin e infrastrukturës për “turizmin e ekselencës”, pa marrë, sipas tyre, në konsideratë pasojat që mund të shkaktohen në habitatet natyrore”, tha përfaqësuesi i Lëvizjes Qytetare.
Pas përfundimit të procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sërish çështjen për të vendosur nëse plotësohen kushtet ligjore për zhvillimin e referendumit të kërkuar nga grupi nismëtar.
/RTSH/