Reforma Zgjedhore, Berisha kërkon ndryshimin e sistemit elektoral: Duam proporcional kombëtar dhe lista të hapura!
Në kulmin e përplasjeve proceduriale dhe akuzave të ndërsjellta mes palëve politike për reformën zgjedhore, Sali Berisha ripërsërit qëndrimin e opozitës për kalimin në një sistem proporcional- kombëtar me lista 100% të hapura.
Kryedemokrati këmbëngul në modelin që aplikon Kosova nga viti 2007, ku listat të jenë të hapura jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, por zbatimi i tyre të nisë që nga vendoret e 9 majit, me të vetmin ndryshim që pragu të mos jetë 5% sa atje.
“PD është totalisht për lista plotësisht të hapura në nivel kombëtar, personalisht preferoj listat e hapura të Kosovës që u japin qytetarëve mundësinë e preferencave në një prag 2 ose 3% sipas ujdisë që do arrihet”, tha Berisha.
Në amendimet e tyre për reformën zgjedhore demokratët kërkojnë rikthimin tek sistemi i balotazhit, i aplikuar deri në vitin 2003, që parashikon zgjedhjen e kryetarëve të bashkive me dy raunde, ku çdo kandidat duhet të gëzojë mbështetjen e mbi 50% të qytetarëve që e votojnë.
Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe garantimi I integritetit të zgjedhjeve, ndarja e shtetit nga partia, ndëshkim për ata që abuzojnë me administratën dhe burimet publike për interesa partiake janë për opozitën edhe kryefjala e punës së tryezës së komisionit të posaçëm.
Vendosja e rregullave të qarta për financimin e partive dhe ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet edhe gjatë periudhës jozgjedhore është një tjetër çështje për të cilën opozita këmbëngul.
Sipas demokratëve çdo proces zgjedhor pa garanci reale kundër fenomenit të blerjes së votës apo presionit ndaj zgjedhësve është i papranueshëm.