Refuzohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nga avokatja e Ratko Kragoviqit, i pandehur për krime lufte
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësja e Ratko Kragoviqit, i pandehur për krime lufte ndaj popullatës civile.
Kërkesa ishte kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nga provat e administruara deri në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.
Lexoni më poshtë njoftimin e plotë:
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjen penale ndaj të pandehurve Goran (R.) Tomasheviç, Ratko (B.) Kragoviç, Sinisha (S.) Tomasheviç, Nebojsha (Z.) Tomasheviç, si dhe Predrag (O.) Tomaseviç, të gjithë nga fshati S., komuna e S., për shkak të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç.
Kërkesa ishte ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.14/2026 të datës 03.03.2026, si dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, PN.1.S.nr.61/2026 të datës 13.03.2026.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve Goran Tomasheviç, Ratko Kragoviç, Sinisha Tomasheviç dhe Predrag Tomaseviç, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, ndërsa i pandehuri Nebojsha Tomasheviç ishte liruar që të mbrohet në liri. Gjykata e Apelit e Kosovës kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.
Mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç, Jelena Kragoviç, ka pretenduar se në shkresat e lëndës nuk ekzistojnë prova që mbështesin dyshimin e bazuar ndaj të pandehurit dhe se paraburgimi ishte caktuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerësoi se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pabazuar.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nga provat e administruara deri në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Gjykata, gjithashtu vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurës penale dhe ndikimit në dëshmitarë apo në bashkë të pandehur. /Telegrafi/