Rekord investimesh kapitale, MIE prezanton buxhetin prej 75.45 miliardë lekësh me fokus te Korridori 8 dhe Korridori Blu
Nën drejtimin e kryetares, Milva Ekonomi, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” pasi mori në shqyrtim raportet e komisioneve të tjera parlamentare për dhënie mendimi.
Në vijim të punimeve, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore për projektbuxhetin dhe investimet e parashikuara në vitin 2027 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. I pranishëm në mbledhje ishte Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili prezantoi fondet dhe programet kryesore të dikasterit që drejton.
Sipas shifrave të paraqitura nga ministri, buxheti i MIE-së për vitin e ardhshëm shënjon një fokus të qartë drejt zhvillimit të infrastrukturës kombëtare.
“Buxheti total për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2027 kap vlerën 75.45 mld lekë, nga të cilat shpenzime korrente janë në vlerën 7.4 miliardë lekë dhe shpenzime kapitale në vlerën 68 miliardë lekë,” deklaroi Karakaçi.
Ministri nënvizoi se buxheti i vitit 2027 është tërësisht i orientuar drejt investimeve, ku “90% e buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë orientohet drejt shpenzimeve kapitale, duke garantuar vijimësinë e projekteve strategjike, hapjen e investimeve të reja dhe modernizimin e infrastrukturës së vendit.”
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi detajoi alokimet financiare për 11 programet buxhetore të ministrisë, duke u ndalur te transporti rrugor, detar, hekurudhor dhe ajror, furnizimi me ujë dhe kanalizime, energjia, burimet natyrore, industria, rrjetet e komunikimit si dhe planifikimi urban.
“Për sa i përket programit të transportit rrugor, Karakaçi theksoi se buxheti 2027 garanton zbatimin e projekteve strategjike me fokus të veçantë në akset e Korridorit 8 dhe Korridorit Blu, të cilat përbëjnë elemente kyç të lidhjes së Shqipërisë me rrjetet europiane të transportit,” bëhet e ditur mbi diskutimet në komision.
Seanca dëgjimore u përmbyll me pyetjet dhe diskutimet e deputetëve anëtarë të komisionit lidhur me investimet e planifikuara në çdo rajon të vendit.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.