E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rënia e çmimit të vajit të ullirit, industria ushqimore kërkon ndërhyrjen e qeverisë, Zusi: Ndaloni importet deri në fund të janarit

Rënia e çmimit të vajit të ullirit, industria ushqimore kërkon ndërhyrjen e qeverisë, Zusi: Ndaloni importet deri në fund të janarit

Rënia e çmimit të vajit të ullirit ka vënë në vështirësi fermerët, të cilët po hasin probleme për të shitur prodhimin. Siç njofton Shqiptarja.com, kryetari i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë Shqiptarë, Alban Zusi, me një letër zyrtare drejtuar institucioneve, i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për të mbrojtur prodhimin vendas.

Sipas shoqatës, disa fermerë paralajmërojnë se do ta braktisin sektorin ose do të presin ullinjtë. Në vend operojnë mbi 270 fabrika që prodhojnë vaj ulliri, të cilat në 10 vitet e fundit kanë investuar në teknologji dhe në cilësi.

Masa e parë e propozuar është ndalimi i importeve të vajit të ullirit deri në fund të janarit, në mënyrë që konsumi të mbulohet nga prodhimi vendas. Shoqata kërkon gjithashtu që në buxhetin e shtetit për vitin 2026 të parashikohet mbështetje financiare për fermerët, me fokus te prodhuesit e ullirit dhe të vajit të ullirit.

Ndër masat e tjera të propozuara janë certifikimi i vajit të ullirit, ndalimi i eksporteve të vajit pa etiketë përpara 1 marsit, mbështetja e drejtpërdrejtë shtetërore për investimet në këtë industri, detyrimi që bizneset që kanë marrë fonde publike të blejnë produkte vendase dhe kushtëzimi i blerjeve publike të vajit të ullirit me certifikatën e cilësisë.

Lini një koment