E diel, 8 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›RIAD – Sulm me raketa, dëmtohet kulla e kompanisë gjigante të naftës “Aramco”

RIAD – Sulm me raketa, dëmtohet kulla e kompanisë gjigante të naftës “Aramco”

– Një ndërtesë e kompanisë shtetërore saudite të naftës “Saudi Aramco” në kryeqytetin Riad është dëmtuar sot nga mbetjet e raketave, pas një sulmi të drejtuar kundër qytetit, njoftoi Ministria saudite e Energjisë, sipas “Reuters”.

Dëmet u shkaktuan në kullën e “Aramco”-s, një nga ndërtesat më të larta të kryeqytetit, e vendosur në Qendrën Financiare të Mbretit Abdullah (KAFD). Sipas ministrisë, dëmet ishin të kufizuara dhe nuk pati persona të plagosur apo viktima.

Një dëshmitar i agjencisë së lajmeve “Reuters” raportoi se në disa kate të ndërtesës ishin thyer xhamat e dritareve, ndërsa në fasadën e kullës vëreheshin dëmtime.

Ngjarja ndodhi pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili lufton kundër rebelëve Houthi në Jemen, njoftoi se kishte interceptuar dhe shkatërruar dy raketa balistike të lëshuara drejt Riadit.

Më herët, banorët e kryeqytetit raportuan shpërthime të fuqishme, ndërsa autoritetet saudite kishin lëshuar një alarm për rrezik të mundshëm në rajon.

Mbrojtja ajrore saudite njoftoi gjithashtu se kishte interceptuar dhe shkatërruar dy raketa të tjera lundruese, të drejtuara drejt Riadit dhe rajonit jugor të vendit.

Nuk është sqaruar nëse dëmtimi i ndërtesës së Aramco-s erdhi, si pasojë e rënies së mbetjeve të një rakete të interceptuar apo nga një goditje e drejtpërdrejtë.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, nuk reaguan menjëherë për sulmin.

Sulmet ndaj Arabisë Saudite janë shtuar që prej rifillimit të luftimeve në korrik, me rebelët Houthi që kanë shënjestruar aeroportet, portet dhe objektet energjetike të mbretërisë me raketa dhe dronë.

Përshkallëzimi i fundit, vjen një ditë pasi Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Houthit në Jemen deklaroi se të paktën 33 persona, u vranë dje nga sulmet ajrore saudite pranë kryeqytetit Sana.

Autoritetet saudite thanë se po hetonin ngjarjen.

Luftimet kanë rikthyer përplasjet mes palëve, pas prishjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2022.

Arabia Saudite ndërhyri në konfliktin e Jemenit në vitin 2015, në krye të një koalicioni shtetesh arabe, për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht, pasi rebelët Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana.

Përshkallëzimi i konfliktit është shndërruar në një tjetër front të tensioneve më të gjera në Lindjen e Mesme, duke shtuar rreziqet për sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe transportit në rajon. /

Lini një koment