Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Rikthimi i llogarive në WhatsApp, KOS-CERT tregon ku duhet të raportohen rastet

Rikthimi i llogarive në WhatsApp, KOS-CERT tregon ku duhet të raportohen rastet

Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike, KOS-CERT, ka reaguar pas rasteve të raportuara lidhur me llogaritë e WhatsApp-it në Kosovë, duke bërë të ditur se është duke i analizuar rastet dhe në komunikim me institucionet relevante për trajtimin e tyre.

Në një njoftim të publikuar së fundmi, KOS-CERT ka kërkuar nga përdoruesit që të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e llogarive të tyre.

“Për rikthimin e llogarisë, ju lutemi ta paraqitni rastin përmes formularit zyrtar të WhatsApp. Gjatë plotësimit të formularit, ju lutemi të specifikoni numrin e telefonit, problemin dhe datën kur ka ndodhur”, thuhet në njoftimin e KOS-CERT.

Ndërkohë, në një njoftim tjetër KOS-CERT ka rekomanduar që përdoruesit të përditësojnë WhatsApp-in në versionin më të fundit dhe të aktivizojnë Verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification).

Sipas udhëzimeve të publikuara, përdoruesit duhet të vendosin një PIN gjashtëshifror dhe të shtojnë një adresë e-maili për rikuperim. KOS-CERT gjithashtu këshillon që PIN-i të mos ndahet me askënd.

Shqetësimet lidhur me sigurinë e llogarive WhatsApp janë raportuar ditëve të fundit, ndërsa KOS-CERT ka bërë të ditur se po i trajton rastet dhe po përpiqet të komunikojë me institucionet relevante për adresimin e çështjes.

Për përdoruesit që kanë probleme me qasjen në llogari, është rekomanduar përdorimi i formularit zyrtar të WhatsApp-it për raportim dhe rikthim të llogarisë./Telegrafi/

Lini një koment