Rikthimi te Ballkani, gjashtë golat dhe ëndrra për fanellën e Kosovës, Albin Berisha zbulon gjithçka
Sulmuesi i Ballkanit, Albin Berisha, po kalon një sezon pozitiv në aspektin individual, me gjashtë gola në 14 paraqitje, ndërsa beson se skuadra nga Suhareka ka potencialin për t’u rikthyer në garën për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, siç njofton Telegrafi.
Berisha është shndërruar në një nga pikat kryesore të repartit sulmues të Ballkanit këtë sezon. Pas përvojave jashtë Kosovës, përfshirë aventurën në futbollin gjerman, sulmuesi vendosi gjatë verës të rikthehej te klubi ku ishte rritur si futbollist, në një ambient që e njeh mirë dhe ku kishte përjetuar sukseset më të mëdha.
Rikthimi ka rezultuar pozitiv edhe në shifra: gjashtë gola në 14 paraqitje në Superligë, ndërsa së fundmi ai mori vëmendjen me një realizim të bukur me thembër në përballjen ndaj Gjilanit. Ballkani megjithatë renditet në pozitën e katërt me 22 pikë, 13 pikë prapa Prishtinës kryesuese, por ambiciet për të luftuar deri në fund mbeten.
Në intervistën për Telegrafin, Berisha ka treguar se rikthimi nuk kërkoi shumë bindje. “Rikthimi në klubin e Ballkanit nuk ka shumë nevojë për bindje, pasi për mua është shumë e veçantë të vesh këtë fanellë. Dëshira ka qenë e madhe, pasi ky është klubi ku jam rritur si futbollist. Prandaj vendimi ka qenë shumë i lehtë. Synimet janë gjithmonë të mëdha, duke parë sukseset që klubi ka arritur në vitet e fundit”, ka thënë ai.
Për formën individuale, 25-vjeçari është shprehur i kënaqur, por ka paralajmëruar se ka ende shumë për të dhënë: “Si sulmues, normalisht jam i kënaqur me gjashtë golat që kam shënuar deri tani, por është vetëm fillimi dhe kam ende shumë për të dhënë”.
Sipas tij, përvoja në Gjermani e ka ndihmuar shumë në mentalitet dhe përgatitje fizike. “Atje futbolli është shumë fizik dhe kërkon disiplinë, shumë punë dhe mentalitet fitues. Këto janë gjëra që mundohem t’i përcjell edhe te skuadra”, ka shtuar Berisha.
Duke folur për objektivat, sulmuesi ka kujtuar se Ballkani ka qenë tri vite rresht kampion, periudhë gjatë së cilës ishte edhe vetë pjesë e skuadrës. “Edhe pse aktualisht jemi 13 pikë prapa liderit, cilësia dhe potenciali i skuadrës nuk diskutohen. Besoj se së bashku, me punë dhe disiplinë, mund të arrijmë shumë”, ka theksuar ai, duke shtuar se skuadrës i kanë munguar rezultatet, sepse në disa ndeshje, pavarësisht lojërave të mira, nuk ka arritur t’i marrë pikët e kërkuara.
Në fund, Berisha ka folur edhe për ambicien më të madhe personale. “Synimi im është të shënoj sa më shumë gola dhe ta ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave, por mbi të gjitha rëndësi ka vazhdimësia dhe rezultatet e ekipit. Sa i përket Përfaqësueses së Kosovës, besoj se për çdo futbollist kosovar është ëndrra më e madhe të veshë fanellën e shtetit të tij. Edhe për mua mbetet një dëshirë dhe motivim shumë i madh”, ka përfunduar sulmuesi.
Në ndeshjen e ardhshme, Ballkani luan në udhëtim te Dukagjini në Klinë, këtë vikend.