E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRokadë mes Malajt dhe Meidanit pas protestës në Shkup? MEPJ: Hamendësime pa asnjë bazë…

Rokadë mes Malajt dhe Meidanit pas protestës në Shkup? MEPJ: Hamendësime pa asnjë bazë…

E PERDITESUAR: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka reaguar pas disa pretendimeve në median online, ku artikulohej se Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Mejdani, ishte shkarkuar nga detyra pasi i doli në mbështetje studentëve që protestuan më herët në Shkup.

Përmes zëdhënësit Alteo Hysi, MEPJ thekson se “komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.”

Këto procese sipas Hysit, “mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.”

“Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike”, deklaroi zëdhënësi.

*Reagimi i plotë:*

Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.

Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.

Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.

Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme.

***

Meidani ambasador në Prishtinë, Malaj në Shkup?

Përplasjet e fundit në Maqedoninë e Veriut ku studentët shqiptarë janë ngritur prej muajsh në protestë për të lejuar provimet e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duket se po ndikojnë edhe në qëndrimet e Tiranës zyrtare.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka marrë disa ankesa nga partia qeverisëse VMRO dhe aleati i saj shqiptar, VLEN ndaj ambasadorit tonë në Shkup, Denion Meidani.
Ankesat duket se kanë kulmuar me qëndrimet publike të Meidanit, I cili ka dalë hapur pro studentëve shqiptarë, edhe në protestën e fundit të mbajtur në Shkup.

Nisur nga ankesat e ardhura nga Shkupi zyrtar, në korridoret diplomatike të Tiranës, po diskutohet një ndërprerje përpara kohe e mandatit të Meidanit në Shkup dhe zëvendësimi i tij “kokë më kokë” me ambasadorin tonë në Prishtinë Petrit Malaj.

Pas publikimit të disa lajmeve, në rrjetet sociale për këtë lëvizje në aksin Shkup- Prishtinë, të shumtë kanë qenë intelektualët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kanë dalë në mbrojtje të Meidanit.

Për mos largimin e Meidanit nga Shkupi, janë mbledhur mbi 3100 firma për peticion. Peticioni i është drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministritë të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha.

Gazetari dhe botuesi Lirim Dullovi shkruan në faqen e tij në Facebook “Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për ambasadorë që heshtin për të ruajtur rehati diplomatike, por për përfaqësues që nuk turpërohen të mbrojnë gjuhën, dinjitetin dhe identitetin shqiptar. Nëse çmimi për të pasur marrëdhënie të mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është zëvendësimi i ambasadorit Denion Meidani me ambasadorë që bëjnë qejfin e kësaj garniture qeveritare, atëherë Tirana zyrtare më mirë ta mbyllë ambasadën e saj në Shkup sesa të pranojë këtë nënshtrim dhe poshtërim të pashembullt”.

Ndërsa gazetari Rami Mislimi shkruan “Të kërkosh largimin e ambasadorit Meidani, ambasadorit që kujdeset për popullin e vet, e për hallet e shqiptarëve dhe për interesin kombëtar, këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri ku merr pjesë VLEN”.

Lini një koment