ROMË – Gjykata Evropiane urdhëron Turqinë të lirojë filantropin Osman Kavala
ROMË, 25 gusht /ATSH-DPA/- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi sot se Turqia ka shkelur të drejtat e filantropit, Osman Kavala dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.
Sipas vendimit, ndjekja penale dhe dënimi i Kavalas, kishin si qëllim heshtjen e tij, duke shkelur të drejtën e tij për një gjykim të drejtë.
Gjykata gjithashtu tha se kishte dyshime të justifikuara objektivisht, për pavarësinë e gjykatave turke.
Kavala ndodhet në një burg të sigurisë së lartë që prej vitit 2017. Në prill 2022, ai u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, pasi u akuzua se kishte tentuar të rrëzonte qeverinë përmes rolit të tij, në protestat e njohura të Parkut Gezi në vitin 2013.
GJEDNJ-ja vlerësoi gjithashtu se vazhdimi i paraburgimit të tij, përbënte trajtim çnjerëzor ose poshtërues.
Gjykata urdhëroi për herë të parë lirimin e Kavalas në vitin 2019, por gjykatat turke nuk e zbatuan vendimin.
Për këtë arsye, Këshilli i Evropës nisi procedurat për shkelje ndaj Ankarasë.
Vendimi i shpallur sot është përfundimtar. Vendimet e GJEDNJ-së janë detyruese për Turqinë, e cila është anëtare e Këshillit të Evropës që prej vitit 1950.
Kavala është themelues i organizatës kulturore “Anadolu Kultur” dhe në vitin 2023 u nderua me Çmimin “Havel” për të Drejtat e Njeriut nga Këshilli i Evropës. /