E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaRrahu dhe keqtrajtoi fëmijët në një kopsht, edukatorja dënohet me 11 vite burg

Rrahu dhe keqtrajtoi fëmijët në një kopsht, edukatorja dënohet me 11 vite burg

Është dënuar më 11 vite burg dhe 6 mijë euro gjobë, edukatorja e cila akuzohet për keqtrajtimin e fëmijëve në një koposhtë në Ferizaj.

Aktgjykimi është shpallur sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi.

“Ku pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurën M.A., e shpalli fajtore dhe të njëjtën e gjykoi për veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës me dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) vite i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe për veprën penale lëndimi i lehtë trupor me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, për të cilën me pëlqimin e të pandehurës I është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej gjashtëmijë (6.000.00) €.” – thuhet ndër të tjera në komunikatën për media nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Në komunikatën e lëshuar nga gjykata janë edhe detaje të tjera në lidhje me këtë çështje.

E pandehura M.A., akuzohet se më datë 4 nëntor 2025 dhe 5 nëntor 2025, në vazhdimësi, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në një kopsht të fëmijëve “M.” në Ferizaj, e pandehura ka keqpërdor të drejtat e saj të cilat i kishte si edukatore, e të cilës i ishin besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes dy fëmijët e moshës 2 vjeçar, pra me dashje i ka keqtrajtuar ata duke përdorur masa fizike dhe mendore, duke i detyruar me dhunë për të fjetur, duke i shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur për dysheme të dëmtuarit – fëmijët, me të cilin veprim ka kryer në vazhdim veprën penale keqtrajtim apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më datë 5 nëntor 2025, në intervalin kohor nga ora 09:00 deri më 14:30 në Ferizaj, në një kopsht të fëmijëve “M.” në Ferizaj, e pandehura e sulmon me dashje njërin të dëmtuar fëmijë dy vjeçar, pra viktimë e ndjeshme, i cili asaj iu kishte besuar në ruajtje, edukim dhe kujdes në atë mënyrë që e kap për flokë e tërheqë duke ia dëmtuar – shkulur flokët si dhe duke i`a dëmtuar lëkurën në atë pjesë të kokës, pra duke i shkaktuar lëndime të lehta trupor – gjendje pas kontuzionit (ndrydhjes) në kokë, lëndime këto të përshkruara në akt ekspertimin mjeko – ligjor të datës 25 nëntor 2025, me të cilin veprim ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – është bërë e ditur nga Gjyakta.

Lini një koment