Rritet pagesa për praktikat e punës, deri në 50% të pagës minimale
Studentët që angazhohen në praktika pune do të përfitojnë një pagesë mujore më të lartë, e cila do të arrijë deri në 50% të pagës minimale.
“Kjo rritje vjen në kuadër të interesit të lartë të të rinjve për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, përmes të cilit rreth 1 850 të rinj kanë arritur të punësohen me kontrata njëvjeçare, shumë prej tyre duke vijuar me kontrata të përhershme”, tha ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Rritja parashikohet në Buxhetin e vitit 2027 dhe synon të nxisë përfshirjen e të rinjve në tregun e punës që gjatë periudhës së studimeve.
Rritja e pagesës synon të ofrojë më shumë mbështetje financiare për studentët, duke u krijuar mundësi të fitojnë përvojë konkrete profesionale, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të lehtësojnë kalimin nga studimet në punësim.