Saturday, 29 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaRritja e kredisë për shtëpi ka nisur të ngadalësohet

Rritja e kredisë për shtëpi ka nisur të ngadalësohet

Financimi nëpërmjet kredisë bankare vijon të financojë një pjesë të madhe të shitjeve të pronave. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e dytë të 2025, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.

Nga këto, në 38% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Ndikimi i konsiderueshëm i kredisë në tregun e pasurive të paluajtshme ilustrohet edhe nga statistikat e huadhënies.

Kredia për shtëpi u rrit për të shtatin vit radhazi në 2025. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar.

Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë në raport me rritjen prej 13% të vitit të mëparshëm.

Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2025 arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7%. Ritmet e rritjes së portofolit të kredisë janë rritur më tej krahasuar me nivelin prej 15.5% të vitit të mëparshëm.

Gatishmëria e lartë e sektorit bankar për të financuar blerjen e pronave ka qenë një faktor mbështetës në rritjen e çmimeve. Kjo ka ndikuar që në vitet e fundit, vlera e pronave të rritet dhe në përgjithësi ato kanë rezultuar investime të leverdishme.

Por, nga fillimi i këtij viti, kreditimi për blerjen e banesave është ngadalësuar ndjeshëm.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit 2026, sektori bankar dha gjithsej 34.9 miliardë lekë kredi për blerje banesash, 3.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja vjetore e tepricës së portofolit është ngadalësuar ndjeshëm në 12.5%, nga 16.7% në fund të 2025-s.

Sipas ekspertëve të sektorit bankar, ngadalësimi mund të shpjegohet me efektin e masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë lidhur me kredinë bankare për blerje banesash, por edhe me një qasje më të kujdesshme të vetë bankave, për shkak të shqetësimeve në rritje për mbinxehjen e tregut të pronave.

Që prej korrikut 2025, kanë hyrë në fuqi nivele tavan të lejuara për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë.

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lek është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj, 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona, në raport me të ardhurat e huamarrësve.

Ky tregues për kreditë në Lek është vendosur në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj.

Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.

Njëkohësisht, vendimi parashikon një rekomandim lidhur me afatin maksimal të maturimit të kredisë për pasuri të paluajtshme rezidenciale, i cili mund t’u shërbejë bankave për të përmirësuar profilin e rrezikut të një ekspozimi të caktuar.

Në fakt, Banka e Shqipërisë kishte shprehur qysh në vitin 2024 shqetësimin e saj për rritjen e shpejtë të kredisë për shtëpi. Fillimisht, ky shqetësim u tentua të adresohej nëpërmjet vendosjes së një shtese të posaçme në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershori 2025) dhe u rrit në dhjetor në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025).

Lexoni edhe:

A ia vlen të investosh në prona; Rritet më tej bregdeti, por stopon Tirana

Lini një koment