E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rritja e pagave të pedagogëve, Kumbaro: Zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë

Rritja e pagave të pedagogëve, Kumbaro: Zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë

Rritja e pagave të pedagogëve pritet të marrë zgjidhje përmes ndryshimeve në ligjin për Arsimin e Lartë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Financat dhe Punësimin për buxhetin e vitit 2027.

Kumbaro sqaroi se për shkak të statusit autonom të universiteteve, pedagogët nuk trajtohen si kategori e administratës publike, çka kërkon një ndërhyrje të posaçme ligjore për të mundësuar rritjen e pagave të tyre.

“Duke qenë se pedagogët janë pjesë e institucioneve që mbajnë statusin e institucioneve autonome dhe kanë një marzh pavarësie në përcaktimin dhe menaxhimin e fondit të pagave, në ndryshimet ligjore që po përgatisim për Arsimin e Lartë, jemi të motivuar të japim një zgjidhje në mënyrë ligjore, me qëllim që t’i hapim rrugën nismës për rritjen e pagave të pedagogëve”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se rritja e pagave të trupës akademike do të jetë një prej prioriteteve të saj dhe të qeverisë, duke e cilësuar këtë një kërkesë të merituar të pedagogëve të universiteteve publike.

Ministrja bëri gjithashtu të ditur se puna për rishikimin e ligjit të Arsimit të Lartë vijon, duke marrë në konsideratë sugjerimet e universiteteve publike dhe jopublike. Propozimet janë vendosur në një sistem krahasimor dhe procesi është pranë fazës së konsultimit publik.

Ndërkohë, sa i përket financimit, buxheti për arsimin e lartë për vitin 2027 parashikon një rritje prej 1.25 miliardë lekësh, duke shënuar shtesën më të lartë të parashikuar për këtë sektor në vitin e ardhshëm.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment