E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Rritja e TVSH-së na bën më pak konkurrues në rajon, masa godet biznesin formal”

“Rritja e TVSH-së na bën më pak konkurrues në rajon, masa godet biznesin formal”

Flet Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit

Bizneset e regjistruara të akomodimit rrezikojnë të mbajnë peshën kryesore të ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale, në një treg ku hotelet konkurrojnë gjithnjë e më shumë me apartamentet me qira ditore.

Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, paralajmëron se rritja e TVSH-së nga 6% në 10% do ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese përballë vendeve të rajonit, në një kohë kur kostot e industrisë janë rritur ndjeshëm.

Sipas tij, vetëm 22% e rreth 285 mijë shtretërve turistikë në vend u përkasin hoteleve, ndërsa pjesa tjetër përbëhet kryesisht nga apartamente me qira ditore, për të cilat mbetet sfidë regjistrimi dhe formalizimi i plotë i aktivitetit.

Në një intervistë për “Monitor”, z. Topuzi kërkon formalizimin e tregut të apartamenteve dhe ruajtjen e TVSH-së 6%, ose vendosjen e një norme të unifikuar 10% për akomodimin dhe ushqimin, për të ruajtur konkurrueshmërinë rajonale.

Si e vlerësoni propozimin e qeverisë për rritjen e TVSH-së në akomodim nga 6% në 10% dhe në çfarë situate ndodhet aktualisht sektori i turizmit?

Vendimi për rritjen e TVSH-së në akomodim nga 6% në 10% është një goditje direkte ndaj konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në Ballkan. Kjo rritje po ndërmerret pa asnjë konsultim paraprak dhe pa një analizë të mirëfilltë ekonomike, në një moment kritik, kur sektori formal i turizmit po përballet me sfida të mbijetesës:

  • Zhvlerësimi i euros me mbi 40% këto katër vitet e fundit;
  • Dyfishimi i pagave të fuqisë punëtore;
  • Rritja e çmimeve të lëndëve të para nga krizat globale.

Cili ka qenë ndikimi i TVSH-së prej 6% në sektorin e turizmit që u ndërmor disa vite më parë?

Direktiva e BE-së 2006/112/EC (neni 98), për uljen e TVSH-së në turizëm, nuk u trajtua si lehtësi fiskale, por si mjet për të barazuar shërbimet e turizmit me eksportet e mallrave, të cilat e kanë TVSH-në 0% mes vendeve europiane, dhe për të përballuar konkurrencën me tregjet jashtë BE-së.

Turizmi, duke qenë një “eksport i padukshëm”, me këtë direktivë mbrohet përmes shkallës së reduktuar të TVSH-së, jo vetëm në akomodim, por edhe në restorante dhe bare. TVSH-ja 6% ka qenë masa strategjike që e bëri Shqipërinë relativisht konkurruese në rajon (vendet e tjera e ulën edhe për restorantet dhe baret).

Kjo masë çoi numrin e turistëve nga 5,2 milionë në vitin 2017 në 12,4 milionë dhe të ardhurat nga 1,7 në 5,7 miliardë euro, duke bërë që sot turizmi të gjenerojë një të katërtën e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe 44% të të gjitha eksporteve të vendit.

Duhet t’i kujtojmë qeverisë se vendosja e TVSH-së prej 6% nuk ishte një rastësi, por fryt i një rruge të gjatë e të mundimshme.

Së pari ishte ATA, përmes dialogut, arriti të bindë FMN-në, e cila kundërshtonte diferencimin e shkallës së TVSH-së. Së dyti ishte vetë Kryeministri Rama që angazhoi një grup ekspertësh nga Universiteti i Harvardit, të cilët, në bashkëpunim me ATA, hartuan raportin strategjik për ringritjen e turizmit shqiptar, ku ulja e TVSH-së ishte kryefjala.

Si pritet të ndikojë rritja e TVSH-së te bizneset formale, në kushtet kur një pjesë e madhe e kapaciteteve akomoduese përbëhet nga apartamentet me qira ditore?

Propozimi aktual godet vetëm pjesën formale të tregut:

  • Sipas Strategjisë së Turizmit 2026–2030, nga rreth 285,000 shtretër në total (të identifikuar nga ekspertët përmes hulumtimit në platformat OTA), vetëm 22% (65,000 shtretër) janë hotele.
  • Pjesa tjetër prej 78% (220,000 shtretër) janë apartamente me qira ditore që operojnë kryesisht pa një standard dhe të paregjistruara në kategorinë e akomodimit.
  • Shqipëria rezulton me 47% informalitet zyrtar në këtë sektor. Ndërsa ne raportojmë rreth 10 milionë net fjetje për 12,4 milionë turistë, Mali i Zi raporton 15,6 milionë net fjetje me vetëm 2,7 milionë turistë. Pa u krahasuar me Kroacinë, që raporton 110 milionë net fjetje me 20,7 milionë turistë.

Kjo masë do të godasë markat ndërkombëtare, të cilave shteti u ka miratuar dhe garantuar me ligj TVSH-në 6% në total për 10 vite.

Si krahasohet barra fiskale e strukturave akomoduese në Shqipëri me vendet e rajonit dhe sa është pesha e taksave dhe tarifave në çmimin e një dhome hoteli?

Nëse mbledhim taksimin e akomodimit dhe shërbimeve, Shqipëria do të ketë barrën më të lartë fiskale në rajon:

  • Shqipëria: TVSH akomodimi 10% + restorantet/baret 21% = 31%.
  • Mali i Zi: 7% akomodimi + 7% restorantet = 14% total.
  • Maqedonia e Veriut: 5% akomodimi + 10% restorantet = 15% total.
  • Italia: 10% + 10% = 20% dhe Greqia: 13% + 13% = 26%.

Duke marrë për bazë çmimin mesatar prej 70 eurosh për një hotel me 4–5 yje në Shqipëri, përpara se të nxjerrë fitimin e vet, hoteli përballet me rreth 50–60% tarifa dhe taksa automatike (Booking 15–25%, Genius 10%, POS 3–3,5%, taksë bashkie 350 lekë/person dhe për dy persona në dhomë 700 lekë, pra 8–10%, pagesë për programin e detyrueshëm Channel Manager, etj.).

Çfarë zgjidhjesh propozoni për politikën e TVSH-së në turizëm dhe formalizimin e tregut të akomodimit?

Zgjidhjet që propozojmë janë:

  1. Formalizimi i tregut të apartamenteve me qira ditore. Duke mbajtur të njëjtën TVSH 6%, mund të sigurohet zgjerimi i fashës paguese.
  2. Ose: Ruajtja e stabilitetit fiskal, duke bërë 10% TVSH në akomodim dhe ushqim, për të arritur konkurrueshmërinë rajonale.

Ne, si grupe interesi, i kërkojmë Ministrisë së Turizmit dhe Qeverisë të ulen në një dialog konstruktiv, të dëgjojnë zërin e biznesit dhe të mos shkatërrojnë modelin e suksesit që e ngriti turizmin shqiptar në nivele ndërkombëtare.

Përveç ndryshimeve fiskale, si e vlerësoni ndikimin e situatës politike dhe protestave në perspektivën e turizmit për vitin 2027?

Situata me protesta është një tjetër moment kritik që do të ndikojë negativisht në industrinë turistike gjatë vitit 2027.

Kërkohet maturi politike dhe institucionale. Turizmi nuk mund të mbajë mbi shpatulla faturën e betejave politike. Investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë duan qetësi e siguri.

Turizmi është një nga shtyllat kryesore ekonomike të vendit, kur ndërtimi fillon ta ndiejë krizën. Ushqen qindra mijë familje. Të gjitha palët duhet të tregojnë pjekuri për të mbrojtur interesin ekonomik kombëtar.

Lexoni edhe:

Rritja e TVSH, goditja e radhës për turizmin

Lini një koment