Monday, 14 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteRritje e vizitorëve me 155% dhe të ardhurave me 218% në Butrint

Rritje e vizitorëve me 155% dhe të ardhurave me 218% në Butrint

Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe të të ardhurave gjatë vitit 2026, me 155% më shumë vizitorë dhe 218% rritje të të ardhurave nga janari në gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të ardhurat e Butrintit janë rritur me 114.4 milionë lekë, ose rreth 1.23 milionë euro, krahasuar me vitin 2023.

Rritja e vizitorëve dhe të ardhurave vjen në një periudhë kur në Parkun Kombëtar të Butrintit është zbatuar një program i integruar investimesh dhe ndërhyrjesh, që synon përmirësimin e infrastrukturës, avancimin e projekteve teknike dhe forcimin e masave për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Në mbledhjen e Bordit të Menaxhimit të Butrintit, të kryesuar nga ministri Gonxhja, u theksua se modeli i ri i menaxhimit, i mbështetur në bashkëpunimin mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka vendosur në qendër përvojën e vizitorit, sigurinë dhe aksesueshmërinë.

Ndërhyrjet dhe investimet kanë synuar gjithashtu krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit përreth dhe forcimin e turizmit kulturor e historik.

Modeli i ri i menaxhimit në shërbim të mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm është qasja që po ndiqet për administrimin e një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë dhe të njerëzimit.

Lini një koment