Thursday, 17 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaRUSI – Putini kritikon Perëndimin dhe akuzon Kievin për “terrorizëm shtetëror”

RUSI – Putini kritikon Perëndimin dhe akuzon Kievin për “terrorizëm shtetëror”

MOSKË, 3 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Perëndimin se nuk ka reaguar ndaj asaj që ai e cilësoi si “terrorizëm shtetëror” nga Ukraina, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Lindor, në Vladivostok.

Putini deklaroi se, pavarësisht sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës ruse, përfshirë rafineritë e naftës, Rusia ka burime të mjaftueshme për të vazhduar luftën dhe se ekonomia e vendit mbetet plotësisht e qëndrueshme.

Ai kritikoi gjithashtu thirrjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për kufizimin e fluturimeve drejt Rusisë, duke pretenduar se vendet perëndimore që mbështesin Kievin, po bëhen “bashkëfajtore në terrorizmin ndërkombëtar”.

Putini tha se negociatat për përfundimin e luftës janë të vështira, por të mundshme, duke theksuar se bisedimet duhet të zhvillohen kryesisht mes Moskës dhe Kievit.

Ai përmendi SHBA-në dhe Kinën ndër vendet që, sipas tij, mund të kontribuojnë në këtë proces.

Presidenti rus bëri thirrje për forcimin e mbrojtjes ajrore, përballë sulmeve të vazhdueshme me dronë dhe mohoi zërat për një mobilizim të ri ushtarak pas zgjedhjeve parlamentare.

Putini pranoi gjithashtu, ekzistencën e deficitit buxhetor, por e cilësoi atë si jo kritik dhe hodhi poshtë spekulimet se shteti mund të përdorë kursimet e qytetarëve, për të financuar shpenzimet në rritje të luftës. /

Lini një koment