E hënë, 18 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaSalianji ankimon përjashtimin nga gara për kreun e PD

Salianji ankimon përjashtimin nga gara për kreun e PD

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji kërkon pavlefshmërinë e vendimit të përjashtimit të tij nga zgjedhjet për kryetar të PD-së, të cilat zhvillohen më 23 maj.

Një shkresë zyrtare drejtuar Kryesisë së PD-së dhe Komisionit të Apelimit, Salianji thotë se kandidatura e tij është penguar në mënyrë të paligjshme, duke deklaruar se dokumentacioni i dorëzuar fizikisht, me postë dhe email, nuk është marrë në shqyrtim nga strukturat e PD-së.

Në kohën kur kryesia e PD-së vendosi që kandidat për kreun e PD-së të ishte Sali Berisha, për Salianjin u theksua se ai nuk mund të ishte kandidat pasi nuk është anëtar i PD-së për shkak të qëndrimeve kritike ndaj lidershipit.

Salianji thekson se në statutin e riformuluar pas procesit të Rithemelimit, nuk parashikohet përjashtimi i anëtarëve për shkak të qëndrimeve kritike ndaj drejtuesve.

Ish-deputeti kërkon që të njihet në mënyrë formale me një vendim të tillë.

“Konstatimin e pavlefshmërirë së veprimit juridik (i ndërmarrë me veprime konkludente) të ndërmarrë nga ana e Kryesisë apo organeve të tjera kolegjiale të Partisë Demokratike për marrjen e masës disiplinore të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Konstatmin e pavlefshmërisë së Vendimit me Nr.120 datë 01.05.2026 të komisionit të organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale. Shqyrtimin e përputhshmërisë me statutin të Vendimit… (pa datë dhe pa numër) të Kryesisë së PDSH-së të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në ankimimin e Salianjit.

Për largimin e Salianjit, PD nuk ka publikuar një vendim zyrtar për përjashtimin e tij, por kanë qenë deklaratat publike të Berishës që e cilëson ish-deputetin si të vetëpërjashtuar.

Salinji thotë se Berisha nuk duhej të ishte kandidat pasi sipas statutit, duhej të ishte larguar që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit në vitin 2025.

Demorkatët do u drejtohen kutive të votimit më 23 maj, ku ndryshe nga herët e tjera këtë herë në fletën e votimit do të kenë vetëm emrin e Sali Berishës si kandidat për të drejtuar edhe për 4 vitet të tjera PD-në.

Pas zgjedhjeve për kryetar të PD-së, më 30 maj PD do të mbledh Kuvendin Kombëtar ku do të realizohen ndryshime në statut dhe në strukturat drejtuese të partisë.

Klan News

/tvklan.al

Lini një koment