Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Samiti i Turizmit në Bruksel/ Shqipëria synon më shumë investime të huaja, Rama do të takohet me investitorë të rëndësishëm në këtë sektor

Samiti i Turizmit në Bruksel/ Shqipëria synon më shumë investime të huaja, Rama do të takohet me investitorë të rëndësishëm në këtë sektor

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku merr pjesë në Samitin e Turizmit, një forum që mbledh politikëbërës, investitorë dhe përfaqësues të industrisë së turizmit nga vende të ndryshme.

Nga Brukseli, gazetarja e RTSH 24, Denada Shkodrani, raporton se pjesëmarrja e kryeministrit Rama pritet të fokusohet te potenciali i Shqipërisë në sektorin e turizmit, investimet dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen.

Rama pritet të ketë një komunikim të drejtpërdrejtë pas orës 13:30, ku do të shoqërohet nga përfaqësues të qeverisë përgjegjës për menaxhimin e turizmit, si dhe përfaqësues të agjencive shtetërore që kanë komunikim të drejtpërdrejtë me sipërmarrjen në sektorin e turizmit dhe me aktorë të tjerë të rëndësishëm ekonomikë.

Në fokus do të jetë potenciali që ka Shqipëria në turizëm, në një kohë kur vendi ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj. Sipas të dhënave dhe vlerësimeve të prezantuara në kuadër të aktivitetit, Shqipëria është renditur vitet e fundit ndër destinacionet me performancë të lartë në rajon, duke tërhequr një numër rekord turistësh.

Një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe potencialit të Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, jo vetëm për shkak të natyrës dhe vijës bregdetare, por edhe për pasurinë kulturore dhe trashëgiminë e vendit.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Rama pritet të zhvillojë edhe takime me drejtues të kompanive të rëndësishme në fushën e turizmit, hotelerisë dhe shërbimeve, pasi investimet dhe zgjerimi i kapaciteteve të sektorit të mikpritjes mbeten ndër prioritetet e qeverisë.

Samiti në Bruksel fokusohet te sfidat dhe zhvillimet që po formësojnë të ardhmen e turizmit europian, përfshirë ndryshimin e pritshmërive të udhëtarëve, inovacionin digjital, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Lini një koment