San Marino-Shqipëri, kapiteni Gjimshiti: Ndeshje e thjeshtë? Varet nga ne
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, foli në konferencë për sfidën me San Marinon, duke theksuar se nuk duhet konsideruar e thjeshtë, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe mentalitetin e duhur nga skuadra.
San Marino? – Është e vërtetë ajo që thua, nuk është e thjeshtë, por besoj që përqëndrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë që do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqëndrimi është 100%.
Si kapiten, ku mendon se duhet të përmirësohet më shumë Kombëtarja jonë? – Sigurisht nuk ishte një periudhë e mirë, por u kthyem te fitorja dhe te ndeshjet që janë shumë të rëndësishme. Nations League na jep një opsion për Europianin. Besoj që hapi i parë ishte te ndeshja e fundit që zhvilluam një lojë të mirë dhe fituam me meritë. Sigurisht synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar.
Çfarë duhet të bëjmë që të mos surprizohemi nesër nga San Marino? – Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet edhe se si do të luajë San Marino, por edhe mënyra se si do të futemi ne në fushë, me agresivitetin dhe kualitetin që kemi. Besoj që mund t’ia dalim të gjithë së bashku. Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë.
Kush të kanë kërkuar më shumë bileta për ndeshjen nesër, shqiptarët apo italianët? – Në këtë rast më shumë është një shoku im romun që kemi luajtur bashkë në Itali dhe ai më ka pyetur për biletë.
I ke studiuar sulmuesit e San Marinos, çfarë veçantie mund të kenë si repart? – E njoh sulmuesin, e ka emrin Nanni, kam luajtur kundër. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 si unë, e mban shumë mirë topin. Në Itali kur nuk ke ndeshje brenda javës bën ndonjë miqësore me ndonjë skuadër të Serisë C apo Serisë D dhe gjithmonë sulmuesit janë ato që kanë më shumë kualitet, apo numri 10 dhe nuk është e thjeshtë. Kanë cilësi dhe kualitet, duhet të jesh 100% i fokusuar sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll.