Seanca përkujtimore / Bido: Çështja çame nuk është kundër Greqisë, por një çështje e të drejtave të njeriut
Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua sot një seancë e veçantë përkujtimore në kuadër të 82-vjetorit të gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Aktiviteti mblodh përfaqësues politikë për të analizuar peshën historike të ngjarjeve të verës së vitit 1944, ku mijëra shqiptarë të asaj krahine u vranë, u masakruan dhe u dëbuan nga trojet e tyre.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, prezantoi një qasje të bazuar mbi të drejtat ndërkombëtare, përgjegjësinë institucionale të shtetit shqiptar dhe ndikimin e kësaj çështjeje në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë.
Dimensionet e çështjes çame në kontekstin modern
Sipas deputetit Bido, çështja çame tejkalon kufijtë e një debati të thjeshtë lokal apo krahinor, duke u shtrirë në rrafshin e të drejtave universale të njeriut.
“Sot ne jemi mbledhur për të përkujtuar 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarët e Çamërisë. Nuk jemi këtu për të ushqyer urrejtje. Nuk jemi këtu për të hapur plagë mes popujve. Jemi këtu për të mos lejuar që një padrejtësi të varroset bashkë me viktimat e saj.”, tha Bido në fjalën e tij.
Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe integrimi në BE
Në fjalimin e mbajtur nga deputeti socialist u nënvizua se Shqipëria dhe Greqia janë vende partnere në NATO dhe do të jenë aleate në Bashkimin Evropian. Megjithatë, sipas përfaqësuesit të shumicës parlamentare, stabiliteti afatgjatë rajonal nuk mund të bazohet mbi heshtjen apo mohimin e fakteve historike, pasi modelet evropiane të pajtimit kanë funksionuar vetëm përmes pranimit të gabimeve të së kaluarës.
“Çështja çame nuk është një çështje kundër Greqisë. Është një çështje e të drejtave të njeriut. Është një çështje e së drejtës së pronës. Është një çështje e të drejtave etnike. Është një çështje e kujtesës historike. Është një çështje dinjiteti.”, theksoi Ardit Bido, deputet i Kuvendit.
Në fund të fjalës së tij Bido riafirmoi se përgjegjësia për mbrojtjen e kësaj të vërtete historike i takon drejtpërdrejt Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të saj legjislative.
“Këngët, vallet, traditat, dialekti dhe kultura çame janë pjesë e identitetit shqiptar dhe e pasurojnë mozaikun tonë kombëtar, aq sa pa to Shqipëria do të ishte e paplotë. Siç thotë shprehja: “Pa Kosovë dhe Çamëri, nuk ka Shqipëri”. Sot dua t’u drejtohem veçanërisht shqiptarëve të Çamërisë dhe pasardhësve të tyre. Dhimbja juaj është pjesë e kujtesës sonë kombëtare, përtej çdo krahine. Historia juaj është një histori mbarëkombëtare shqiptare. Kujtesa juaj nuk është vetëm e familjeve tuaja. Është një përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë. Është një përgjegjësi e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është një përgjegjësi e çdo institucioni publik. Sepse shteti nuk ka vetëm detyrimin që të ndërtojë të ardhmen, ka detyrimin edhe të mbajë gjallë kujtesën.”, theksoi në fjalën e tij deputeti socialist, Ardi Bido.