Seancë plenare, protestë para Kuvendit dhe masa sigurie, çfarë pritet të ndodhë nesër në Tiranë?
E hëna pritet të rikthejë tensionin politik në qendër të Tiranës. Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet paradite në seancë plenare, për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet e Kuvendit, ndërsa në të njëjtën kohë, është paralajmëruar edhe një protestë qytetare.
Edhe këtë herë, organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim përballë Kuvendit, ndërsa nuk përjashtohen përplasje me policinë dhe deputetët që hyjnë në parlament, si ato të datës 23 korrik.
Për autoritetet, sfida kryesore do të jetë garantimi i zhvillimit normal të punimeve të Kuvendit dhe ruajtja e rendit në rendit përreth Parlamentit.
Ndërkohë, protesta pritet të rikthejë në qendër të debatit politik kërkesat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i cili ka prezantuar edhe një dokument me emrin “Besa“, në përgjigje të kërkesave që ka shpalosur protesta.
Megjithatë, për gjithçka do të ndodhë, e gjithë vëmendja do të jetë te mënyra se si do të menaxhohet tubimi dhe nëse protesta do të mbetet paqësore apo do të shoqërohet sërish me përplasje.