Sejko prezanton sistemin e pagesave të menjëhershme: Transaksione 24 orë në ditë, 7 ditë të javës
Shqipëria nis sot zbatimin e sistemit të pagesave të menjëhershme TIPS Clone, i njohur ndryshe si IPSA. Sistemi i ri do të mundësojë kryerjen e transfertave në euro dhe në lekë brenda vendit, në çdo ditë të javës dhe në çdo orë të ditës apo natës.
Gjatë prezantimit të sistemit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se përmes këtij mekanizmi të ri qytetarët dhe bizneset shqiptare pritet të kursejnë mbi 400 milionë euro.
Sipas Sejkos, kjo shifër bazohet në një studim të kryer nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore.
Guvernatori theksoi se me implementimin e TIPS Clone, Shqipëria përfshihet në sistemet moderne të pagesave të Bashkimit Evropian, duke e lidhur më ngushtë infrastrukturën e saj financiare me standardet evropiane, përfshirë sistemin SEPA.
Sejko falënderoi Bankën e Italisë për ndihmën në implementimin e projektit, Bankën Botërore për asistencën teknike, si dhe stafin e Bankës së Shqipërisë për punën në realizimin e tij.
Ai siguroi se sistemi i ri është në përputhje të plotë me sistemet moderne të pagesave që aplikohen aktualisht në Bashkimin Evropian.
“Të nderuar qytetarë, sot, më 23 nëntor, ne do të kalojmë live me sistemin TIPS Clone, ose siç e quajmë ndryshe, sistemin IPSA.
Ky është një sistem i pagesave të menjëhershme në euro dhe në lekë, të cilat do të kryhen brenda vendit, shtatë ditë të javës, 24 orë në ditë, ditën dhe natën.
Me implementimin e këtij sistemi të pagesave të menjëhershme, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kursejnë mbi 400 milionë euro, siç është parashikuar nga një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore.
Me implementimin e TIPS Clone, Shqipëria përfshihet në sistemet moderne të pagesave të Bashkimit Evropian, siç janë sistemi SEPA dhe sistemi që ne po lançojmë sot, sistemi i pagesave të menjëhershme TIPS Clone.
Unë dua të falënderoj Bankën e Italisë, e cila na ka ndihmuar në implementimin e këtij sistemi, Bankën Botërore, e cila na ka siguruar asistencë teknike, por edhe stafin e Bankës së Shqipërisë, që ka punuar me përkushtim deri në daljen sot të sistemit të pagesave të menjëhershme.
Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se, me implementimin e këtij sistemi të pagesave TIPS Clone, që lançohet sot, ne jemi në përputhshmëri të plotë me të gjitha sistemet moderne të pagesave që aplikon Bashkimi Evropian në ditët e sotme”, u shpreh Guvernatori Sejko.