Sekuestrohen mbi 24 mijë euro dhe shuma të tjera te “Dollari”, procedohen dy persona
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht dy persona, të cilët dyshohet se ushtronin aktivitet të palicencuar të këmbimit valutor në rrugë, në zonën e njohur si “Dollari”.
Gjatë aksionit efektivët e policisë kanë konstatuar dy raste të këmbimit valutor të palicencuar, me burime të dyshimta parash ndërsa në momentin e ndërhyrjes, dy shtetasit mbanin me vete shuma të konsiderueshme parash, konkretisht 24 120 euro, 13 200 dollarë kanadezë dhe 470 000 lekë, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Për rastin janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasit S. E. dhe K. F., për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Aksioni u krye nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në kuadër të planit të posaçëm të masave për goditjen e aktiviteteve të paligjshme ekonomike.