Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaSekuestrohen mbi 9 kg marihuanë në Gjakovë, arrestohet një shtetas turk

Sekuestrohen mbi 9 kg marihuanë në Gjakovë, arrestohet një shtetas turk

Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 9.4 kilogramë marihuanë në fshatin Popoc të Gjakovës, në zonën e brezit kufitar, gjatë patrullimit të datës 21 shtator.

Njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë lokalizuan vendin ku ishte fshehur lënda narkotike. Sipas Policisë, të dyshuarit, një natë më herët, “përderisa ishin nën ndjekje nga patrullat policore kufitare, kishin fshehur lëndën narkotike dhe kishin braktisur automjetin”.

Në vendngjarje u gjetën tri çanta dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 9.4 kilogramë.

Në lidhje me rastin është arrestuar një shtetas turk, pasi u identifikua nga njësitet policore në Prishtinë dhe Mitrovicën e Jugut që ishin në asistim të njësive kufitare. Rasti u procedua në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku me urdhër të prokurorit u iniciua vepra penale “blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike”.

Pas intervistimit, i dyshuari u lirua dhe rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment