Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaArteSelenicë, Festivali Folklorik mblodhi 20 grupe nga treva e Labërisë

Selenicë, Festivali Folklorik mblodhi 20 grupe nga treva e Labërisë

Në bashkinë e Selenicës ka ulur siparin Festivali Folklorik, i zhvilluar në qendër të njësisë administrative Kotë.

Për tri mbrëmje me radhë njëzet grupe të këngës tradicionale të Labërisë performuan në skenën e ngritur në qendër të Kotës, duke i dhënë të gjithë grykës së Lumit të Vlorës jehonën e tingujve dhe melodive të këngëve ardhur nga të gjitha vendbanimet e territorit në juridiksion të kësaj njësie vendore.

Mbi dyqind e pesëdhjetë festivalistë të veshur me kostumet tradicionale, me performancat e tyre të zgjedhura u bënë pjesë e ballafaqimit dhe konkurimit duke e bërë edhe më të bukur garën.

Edicionin e katërt të festivalit e bënë edhe më interesant pjesëmarrja e grupeve vetëm me të rinj, siç ishte grupi i Vllahinës dhe Gjormit për të cilën juria akordoi “Çmimin special për të rinjtë”, vlerësim që jepet për herë të parë dhe që synon të nxit edhe më shumë përfshirjen e të rinjve në përcjelljen e këngës labe, kjo edhe si një nga qëllimet e aktivitetit.

Në fund, juria e përbërë nga tre artistë që kanë titullin “Mjeshtër i Madh”, Golik Jaupi, Artur Dhamo e Kristo Çipa i vlerësuan me çmimin e publikut grupin e Vajzës, me çmimin e tretë grupin e Gumenicës, me çmimin e dytë grupin e Velçës si dhe me çmimin e parë grupin e Vezhdanishtit.

Çmimin e parë e dorëzoi kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, i cili vlerësoi pjesëmarrjen e të gjitha grupeve pjesëmarrëse, si dhe e krahasoi këngën me një “pasaportë” identitare të cilën e gjen vetëm në shpirtin e këngëtarëve dhe valltarëve të Labërisë.

“Kënga Labe është identitet, krenari dhe trashëgimi që nuk shuhet. Prania e të rinjve është dëshmia më e bukur se kjo këngë do të jetojë brez pas brezi. Me zërin e Labërisë, me dashurinë e njerëzve të saj, ky festival do të vazhdojë”, tha Bellaj.

Lini një koment