E diel, 8 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SENEGAL – Mbytet varka me emigrantë pranë Loumpoulit, 21 të vdekur

SENEGAL – Mbytet varka me emigrantë pranë Loumpoulit, 21 të vdekur

– Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë, u mbyt në brigjet e Senegalit, ndërsa vetëm një person është shpëtuar deri më tani, raportoi “Reuters”.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Senegalit, varka u përball me vështirësi në det pranë zonës së Kebemerit, rreth 180 kilometra në veri të kryeqytetit Dakar.

Autoritetet njoftuan se deri dje në mbrëmje, ishin gjetur 21 trupa dhe ishte shpëtuar një person. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po kërkojnë të mbijetuar të tjerë.

Mbytja e varkës ndodhi pranë brigjeve të Loumpoulit, në rajonin e Lougës, midis Dakarit dhe qytetit verior Saint-Louis.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e saktë të personave, që ndodheshin në bord apo rrethanat e plota të aksidentit.

Qeveria senegaleze rikonfirmoi vendosmërinë, për të luftuar rrjetet e trafikimit të emigrantëve, ndërsa operacionet për gjetjen e personave të tjerë vijojnë.

Mijëra persona nga Afrika Perëndimore përpiqen çdo vit të mbërrijnë në Evropë përmes rrugës së Atlantikut, kryesisht drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, duke udhëtuar me varka të vogla peshkimi.

Kjo rrugë konsiderohet ndër më të rrezikshmet, për shkak të distancave të gjata detare dhe kushteve të vështira të lundrimit. /

Lini një koment