E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, Vance distancohet nga Trump

SHBA – Pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, Vance distancohet nga Trump

UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka fajësuar luftën me Iranin, të nisur nga administrata e tij, për humbjen e thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, duke u distancuar kështu nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Por të gjithë e dinë pse humbëm. Dhe çdo diskutim i sinqertë për hapat që duhet të ndërmarrim tani duhet të nisë pikërisht nga kjo”, shkroi dje Vance në rrjetin social X.

“Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shtoi ai.

Ky qëndrim i drejtpërdrejtë i Vance erdhi pasi demokratët morën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, në zgjedhjet e së martës, të cilat u konsideruan si një vlerësim i politikave të Trump nga qytetarët amerikanë.

Lufta kundër Iranit, e nisur nga Trump së bashku me Izraelin në shkurt, ka qenë shumë jopopullore në mesin e amerikanëve, pasi ka shkaktuar rritjen e çmimeve të karburanteve, ndërsa fundi i konfliktit nuk duket ende në horizont.

“Mendoj se kjo është kryesisht e vërtetë, sepse në një periudhë afatshkurtër lufta shkaktoi një rritje të lehtë të çmimit të benzinës”, tha Trump më vonë, pyetur për analizën e Vance.

Presidenti amerikan refuzoi të marrë përgjegjësinë për humbjet e mëdha të partisë së tij në zgjedhjet e së martës, duke thënë se rezultatet kishin të bënin me “çmimet, jo me luftën”.

Trump mbron vendimin për të nisur luftën me Iranin

Trump tha se, nëse do të përballej sërish me të njëjtën zgjedhje, do të vepronte në të njëjtën mënyrë, pasi Irani nuk duhet lejuar të sigurojë armë bërthamore. I pyetur nëse lufta ia kishte vlejtur, ai u përgjigj pozitivisht.

“Nëse doni të argumentoni se ia vlejti të humbisnit Senatin për gjashtë vjet, atëherë mund ta thoni këtë”, shkroi Vance, i cili fillimisht kundërshtoi luftën me Iranin.

Çdo senator amerikan zgjidhet për një mandat gjashtëvjeçar, ndërsa një e treta e vendeve në Senat rinovohen çdo dy vjet.

Si Vance, ashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konsiderohen ndër kandidatët kryesorë, për të marrë nominimin e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Trump minimizoi mundësinë që Vance të kandidojë për president.

“Ndoshta nuk do të kandidojë. Nuk e di se kush do të kandidojë”, tha ai para kamerave televizive, në kantierin e ndërtimit të sallës së re të ballove në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, të cilin ligji nuk e lejon të kandidojë për një mandat të tretë, nuk ka bërë ende të ditur se kë sheh si pasardhës të mundshëm në krye të republikanëve. /

Lini një koment