SHBA – Prapaskenat e votimit për shkarkimin e Hegseth, 18 deputetë mungojnë dhe nisma bllokohet
– Përpjekja për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth nuk pati sukses në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi 11 ligjvënës demokratë nuk morën pjesë në votimin vendimtar, sipas “Al Jazeera”.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 211 vota pro dhe 204 kundër për ta dërguar nismën për shkarkimin e Hegseth në Komisionin Gjyqësor, një veprim që praktikisht e bllokoi procesin.
Në total, 18 deputetë nuk morën pjesë në votim, 11 demokratë dhe shtatë republikanë.
Nga republikanët, vetëm Thomas Massie votoi kundër dërgimit të nismës në komision, duke u bashkuar me demokratët.
Nisma u paraqit nga kongresmeni republikan Thomas Massie dhe përmbante tetë pika akuzash ndaj Hegseth, kryesisht lidhur me ushtrimin e kompetencave ushtarake pa miratimin e Kongresit, përfshirë operacionet ushtarake kundër Iranit dhe Jemenit.
Megjithatë, votimi nuk ishte një vendim përfundimtar, për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, por kishte të bënte me procedurën e dërgimit të akuzave në Komisionin Gjyqësor.
Kush ishin 11 demokratët që munguan?
Mes ligjvënësve që nuk morën pjesë në votim ishte edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Lista përfshinte, Julia Brownley dhe Lou Correa nga Kalifornia, Nancy Pelosi nga Kalifornia, Laura Gillen nga Nju Jorku, Steven Horsford nga Nevada, Jonathan Jackson nga Illinois, Brittany Pettersen nga Kolorado, Melanie Stansbury nga Nju Meksiko, Haley Stevens nga Miçigani, Marilyn Strickland nga Uashingtoni dhe Frederica Wilson nga Florida.
Mungesat shkaktuan pakënaqësi brenda radhëve demokrate. Disa prej ligjvënësve që nuk morën pjesë, thanë se nuk arritën të mbërrinin në sallën e votimit, për shkak të trafikut të rënduar në Uashington dhe pengesave të krijuara nga eskortat policore.
Pelosi ndodhej në Kaliforni, ku merrte pjesë në një aktivitet për Ditën e Veteranëve.
Zyra e saj deklaroi se ajo do të kishte votuar kundër dërgimit të nismës në komision.
Edhe zyra e Horsford bëri të ditur se ai nuk mundi të merrte pjesë për shkak të një emergjence personale.
Pse mungesat ishin të rëndësishme?
Diferenca mes dy kampeve ishte shtatë vota, ndërsa 11 demokratët që munguan, do të kishin mundur ta ndryshonin rezultatin, nëse do të merrnin pjesë dhe do të votonin kundër dërgimit të nismës në komision.
Megjithatë, edhe shtatë republikanë munguan në votim.
Sipas një përllogaritjeje të bazuar në votat e regjistruara, nëse të 18 ligjvënësit do të kishin marrë pjesë dhe do të votonin sipas linjave partiake, nisma për dërgimin e çështjes në komision do të kishte kaluar përsëri, me rezultatin 218 vota kundër 215.
Votimi nxiti kritika ndaj drejtuesve demokratë, veçanërisht ndaj kreut të grupit parlamentar, Hakeem Jeffries, për organizimin dhe sigurimin e pjesëmarrjes së deputetëve.
Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump përshëndeti rezultatin, ndërsa Hegseth e cilësoi më herët përpjekjen për shkarkimin e tij, si një nismë të destinuar për të dështuar.
Demokratët kanë sinjalizuar se mund ta rikthejnë çështjen në janar, pasi pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas zgjedhjeve afatmesme. /