SHBA – Takim Trump-Zelensky për raketat “Patriot” dhe mbrojtjen kundërajrore
UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, me synimin kryesor për të siguruar miratimin e Uashingtonit për blerjen e raketave për sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot”, të cilat konsiderohen jetike për mbrojtjen e Ukrainës.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth një orë.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje mbi bisedimet, por ai u zhvillua në një kohë kur Rusia dhe Ukraina kanë shtuar sulmet me raketa me rreze të gjatë, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten të bllokuara.
Para mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, Zelensky deklaroi se prioriteti kryesor i Ukrainës është mbrojtja nga raketat balistike.
Ai theksoi se forcimi i mbrojtjes ajrore është thelbësor për të mbrojtur qytetet dhe popullsinë civile nga sulmet ruse.
Sipas Kombeve të Bashkuara, muaji qershor ishte periudha më vdekjeprurëse për civilët ukrainas që nga prilli i vitit 2022.
Rusia ka shtuar përdorimin e raketave balistike kundër qyteteve ukrainase, të cilat janë shumë të vështira për t’u neutralizuar.
Aktualisht, sistemet amerikane “Patriot” janë të vetmet që mund të rrëzojnë në mënyrë efektive këto raketa.
Megjithatë, Ukraina po përballet me mungesë të madhe të raketave interceptuese “PAC-3”, situatë që është përkeqësuar muajt e fundit. /Ad.Ab./ a.jor.