E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Tarifa të reja doganore ndaj partnerëve kryesorë tregtarë

SHBA – Tarifa të reja doganore ndaj partnerëve kryesorë tregtarë

UASHINGTON, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Qeveria amerikane njoftoi sot një paketë të re tarifash doganore ndaj produkteve të importuara nga partnerët kryesorë tregtarë, mes tyre Kina, Bashkimi Evropian dhe Meksika, duke i akuzuar për subvencionim të paligjshëm të industrive të tyre.

Tarifat e reja mund të arrijnë deri në 20% për produktet me origjinë nga Kina. Megjithatë, ato nuk do të hyjnë në fuqi menjëherë, por pas një muaji, periudhë gjatë së cilës publiku dhe bizneset do të kenë mundësi të paraqesin me shkrim komentet dhe kundërshtimet e tyre ndaj propozimit.

Masat e reja i shtohen tarifave të shpallura në fund të korrikut, të cilat synonin rreth 60 vende me argumentin e luftës kundër punës së detyruar. Ato vijnë në përfundim të një hetimi të nisur në mars nga Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), e drejtuar nga Jamieson Greer.

Përveç vendeve të përmendura, masat përfshijnë edhe shumicën e shteteve të Azisë Juglindore, Korenë e Jugut, Zvicrën dhe Bangladeshin.

Sipas USTR-së, subvencionet e dhëna nga rreth 15 vendet e përfshira në hetim nxisin mbiprodhimin industrial, duke dëmtuar në fund konkurrueshmërinë e kompanive amerikane.

Propozimi parashikon që tarifat e reja të mos tejkalojnë nivelet e përcaktuara në marrëveshjet tregtare të nënshkruara me partnerët përkatës. Për rrjedhojë, rritja shtesë do të jetë relativisht e kufizuar krahasuar me tarifat që janë tashmë në fuqi që prej fundit të korrikut.

Kështu, tarifat për produktet nga Bashkimi Evropian dhe Japonia do të rriten nga 10% në 15%, pas hyrjes në fuqi të masave të reja./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment