SHBA – Trump: I kam kërkuar Putinit të tërheqë “gjithë agresionin ushtarak” në Evropë
UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH -AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pohoi se gjatë bisedimeve të fundit në Kinë i ka bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, që të tërheqë “gjithë agresionin ushtarak” në Evropë, në mënyrë që të arrihet “sa më shpejt” një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Unë vërtet besoj se kjo është një mundësi e madhe – mijëra njerëz po vriten çdo muaj, një gjakderdhje e plotë – dhe kjo do të ishte një meritë e madhe për të gjithë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump zhvilloi bisedime dypalëshe me Putinin, si dhe një takim trepalësh ku mori pjesë edhe presidenti kinez, Xi Jinping, më 19 nëntor, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin jugor kinez Shenzhen.
Megjithëse të tre liderët publikuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën u zotuan të ulin rreziqet bërthamore dhe të reformojnë OKB-në, samiti nuk solli ndonjë përparim të menjëhershëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Në një postim tjetër, Trump ndau gjithashtu një deklaratë lidhur me takimin me dyer të mbyllura që zhvilloi të mërkurën në mbrëmje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Deklarata e përbashkët i bëri thirrje Rusisë të shmangë çdo veprim që “me qëllim ose pa qëllim” e zgjeron luftën, duke theksuar nevojën për të siguruar një “zgjidhje paqësore” sa më “shpejt” të jetë e mundur