SHBA – Trump kërkon afrimin me demokratët pas humbjeve elektorale të republikanëve
“Kam ndjesinë se do të përfundojmë duke pasur një marrëdhënie dypartiake me demokratët, ku mund të trajtojmë shumë çështje të ndryshme, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe shumë të tjera, dhe t’i çojmë përpara”, deklaroi presidenti Trump gjatë një bisede telefonike me pjesëtarë të ushtrisë amerikane.
Presidenti zhvilloi telefonatën nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida, me rastin e Ditës së Falënderimeve, një prej festave më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, presidenti Trump theksoi se si president zotëron kompetenca të fuqishme për të vënë veton ndaj vendimeve legjislative. Duke iu referuar dy viteve të mbetura të mandatit të tij të dytë, ai deklaroi se vetoja është një instrument i fuqishëm, por shtoi se “nuk kishte ndërmend të vinte veto për gjithçka gjatë dy viteve të ardhshme”.
Deklaratat për bashkëpunim me demokratët vijnë rreth dy javë pasi Abdul El-Sayed, senator i zgjedhur nga shteti i Miçiganit, i kërkoi presidentit Trump të mbështeste vendosjen e një sistemi universal të kujdesit shëndetësor. Në rrjetin social X u publikuan edhe modele të një karte të ngjashme me kartën e sigurimit shëndetësor, të quajtur “TrumpCare”, me shkronja ngjyrë ari.
Gazeta “New York Post “raportoi së fundmi se Trump kishte shprehur gatishmërinë për t’u takuar me El-Sayed, duke e cilësuar atë si “një djalë të zgjuar”.
El-Sayed fitoi një vend në zgjedhjet e fillimit të nëntorit dhe pritet të marrë detyrën si senator i Miçiganit në janar. Ndër kërkesat e tij kryesore është krijimi i një sistemi universal të kujdesit shëndetësor të financuar nga fondet publike, i njohur si “Medicare for All”, (ndhmë shëndetësore për të gjithe).