Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSHBA – Trump: Marrëveshje për blerjen e potasit nga Bjellorusia

SHBA – Trump: Marrëveshje për blerjen e potasit nga Bjellorusia

UASHINGTON, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një marrëveshje masive për blerjen e potasit nga Bjellorusia, mineral i përdorur kryesisht në prodhimin e plehrave kimike.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se çmimet e potasit nga Bjellorusia do të ishin dukshëm më të ulëta se ato që Shtetet e Bashkuara paguajnë aktualisht për furnizimet nga Kanadaja, furnizuesi kryesor i tregut amerikan.

Njoftimi vjen në një periudhë tensionesh të forta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), Shtetet e Bashkuara importojnë pothuajse të gjithë potasin që përdorin.

Në vitin 2024, rreth 79% e importeve amerikane të këtij minerali vinin nga Kanadaja, ndërsa Rusia përbënte rreth 11% dhe Bjellorusia rreth 4%.

Bjellorusia është një aleate e ngushtë e Rusisë, ndërsa eksportet e saj të potasës janë prekur nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Konflikti në Ukrainë shkaktoi rritje të fortë të çmimeve të potasës në tregjet ndërkombëtare.

Çmimet janë ulur më pas, por mbeten në nivele relativisht të larta.

Marrëveshja e paralajmëruar nga Trump do të mund t’u mundësonte kompanive amerikane të diversifikojnë burimet e furnizimit me potas, ndërsa për Bjellorusinë do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të eksporteve drejt tregut amerikan./ a.jor.

Lini një koment