SHBA – Trump planifikon të takohet me liderët e vendeve të Gjirit në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/- Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do te nisë sot në Nju Jork, ku mblidhen liderë nga vende të ndryshme të botës.
Pritet të mbajnë fjalime, mes të tjerëve, presidenti amerikan Donald Trump, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Andy Burnham.
Trump pritet gjithashtu të takohet me përfaqësues të vendeve të Gjirit Persik, ndërsa lufta me Iranin po i afrohet shtatë muajve dhe po ndikon gjithnjë e më shumë në vendet e rajonit.
Sulmet iraniane dhe përshkallëzimi i konfliktit me grupin Houthi po kërcënojnë qytete, bazat amerikane dhe rrugët kryesore të transportit të naftës dhe mallrave në rajon.
Trump pritet të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta dypalëshe me kryeministrin britanik Andy Burnham dhe presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez.
Takimi me Rodriguez do të ishte takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve.
Ndërkohë, Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja pritet të zhvillojnë një takim për të diskutuar zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Kjo zgjidhje parashikon krijimin e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që bashkëjetojnë si shtete të veçanta.
Një vit më parë, të treja vendet e njohën Palestinën si shtet.
Kohët e fundit, ato kanë njoftuar edhe masa të tjera të përbashkëta kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë ndalime të importit dhe sanksione. /