SHBA – Trump: Shenja pozitive për përfundimin e luftës me Iranin
UASHINGTON, 10 nëntor /ATSH-AFP/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se po krijohet një moment pozitiv drejt përfundimit të luftës me Iranin, duke theksuar se vendi është “praktikisht i mundur nga pikëpamja ushtarake”, por pa përjashtuar mundësinë e sulmeve të reja.
Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, një ndër ndërmjetësit kryesorë në konfliktin me Iranin. Ky ishte takimi i tij i parë me një lider të huaj pas humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Më vonë, në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump e cilësoi bisedën si “shumë të mirë”, duke shtuar se ishte diskutuar gjerësisht për Republikën Islamike të Iranit.
Në javët para zgjedhjeve të mesmandatit, kishte pasur spekulime të shumta se sulmet amerikane ndaj Iranit do të rifillonin menjëherë pas tyre.
Megjithatë, Trump ka minimizuar mundësinë e rifillimit të konfliktit, pa përjashtuar ndërkohë sulme të tjera. Të njëjtin qëndrim ai përsëriti edhe të hënën gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Irani, nga pikëpamja ushtarake, praktikisht ka marrë fund. Ne thjesht po ruajmë status quo-në. Por, nëse do të na duhet të ndërhyjmë sërish, jemi plotësisht të gatshëm dhe të përgatitur për të vepruar”, deklaroi Trump.
Në postimin e tij, presidenti amerikan tha se beson se sulmet e tjera janë “mjaft të pamundura”, pasi aleatët kryesorë të SHBA-së në Gji preferojnë ruajtjen e gjendjes aktuale.
“Po shohim zhvillime pozitive drejt përfundimit të këtij konflikti dhe do të sigurohemi që interesat e Amerikës të mbrohen në çdo kohë”, shkroi Trump.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë kanë shprehur qëndrim sfidues ndaj presionit të vazhdueshëm të Uashingtonit.
Mohsen Rezai, një prej drejtuesve të lartë të sigurisë së Iranit, shkroi të hënën vonë në rrjetin social X se SHBA-ja “po sillet si një bixhozxhi i dëshpëruar”, duke i bërë thirrje Uashingtonit: “Dorëzohuni. Ndaloni prodhimin e lajmeve të rreme për bisedime imagjinare”.
Më herët, kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, pretendoi në X se Izraeli po e shtynte SHBA-në gjithnjë e më thellë në konflikt. Ai paralajmëroi se “nëse Uashingtoni nuk heq dorë nga mentaliteti ‘Izraeli i pari’, Amerika dhe aleatët e saj po shkojnë drejt një epoke të errët”.
Ndërkohë, sipas autoriteteve iraniane, sulmet në territorin e vendit vazhdojnë, megjithëse ushtria amerikane nuk i ka pranuar publikisht ato.
Ishulli Keshm, i vendosur në Ngushticën e Hormuzit, u godit gjatë natës nga e diela në të hënën, deklaroi zëvendësguvernatori i provincës në televizionin shtetëror.
Trump ka pranuar se lufta me Iranin, e cila është shumë jopopullore në SHBA, ishte të paktën pjesërisht përgjegjëse për humbjen e republikanëve në zgjedhjet e fundit, veçanërisht për shkak të ndikimit të saj në rritjen e çmimeve në ekonominë amerikane. /Ad.Ab./ a.jor.