SHBA – Trump shqyrton tarifë të re prej 7,5% ndaj Kinës
– Presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrton vendosjen e një tarife të re prej 7,5% ndaj produkteve kineze, me synimin për të ndëshkuar Kinën për atë që administrata amerikane e konsideron si mbiprodhim dhe eksportim të mallrave me çmime shumë të ulëta në tregun global, raportoi AP.
Sipas burimeve, tarifa e re nuk është vendosur ende përfundimisht. Dy prej tyre thanë se tarifa prej 7,5%, po shqyrtohet si një masë që nuk do të rrezikonte armëpushimin tregtar njëvjeçar mes SHBA-së dhe Kinës dhe as takimin e planifikuar mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, në fund të shtatorit.
Masa do t’u shtohej tarifave ekzistuese amerikane ndaj produkteve kineze.
Administrata Trump ka nisur një hetim për kapacitetin e tepërt industrial të Kinës, veçanërisht në sektorë si automobilët, panelet diellore, çimentoja dhe çeliku.
Uashingtoni argumentoi se prodhimi i tepërt, po çon në rritjen e eksporteve kineze dhe po dëmton prodhuesit në vende të tjera.
Kina i ka kundërshtuar këto akuza dhe ka kërkuar që çështjet tregtare të zgjidhen përmes negociatave mes dy vendeve, jo përmes vendosjes së njëanshme të tarifave.
Tarifa e re prej 7,5% do t’u shtohet tarifave prej 10% deri në 12.5% që SHBA-ja ka vendosur tashmë ndaj rreth 60 vendeve, përfshirë Kinën, të cilën administrata amerikane e akuzon se nuk po zbaton në mënyrë efektive një ndalim për produktet e prodhuara me punë të detyruar.
Burimet theksuan se Trump ende mund të ndryshojë qëndrim dhe tarifa prej 7,5% nuk është miratuar përfundimisht.
Sipas të dhënave të përmendura në raport, eksportet e mëdha kineze kanë bërë që suficiti tregtar i Kinës, të arrijë një rekord prej gati 1,2 trilionë dollarësh vitin e kaluar.
Ndërkohë, SHBA-ja ka paralajmëruar edhe për sanksione të reja dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin. Kina është vendi partner më i madh tregtar i Iranit. /