Shefi i Hyundai-t paralajmëron SHBA-në: pa tarifa, makinat kineze do të përmbysin tregun si në Evropë
Drejtori ekzekutiv i Hyundai Motor, Jose Munoz, paralajmëroi të enjten se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përballen me një valë importesh veturash kineze si ajo që tronditi tregun evropian, nëse Uashingtoni nuk i mban në fuqi tarifat dhe masat mbrojtëse ndaj prodhuesve kinezë.
Folja në një intervistë nga San Jose, Kaliforni, Munoz tha se prodhuesit kinezë u zgjeruan me shpejtësi në Evropë, duke eroduar pjesën e tregut dhe fitimet e prodhuesve si Hyundai dhe Volkswagen. Makinat kineze ofrohen 30-40% më lirë se rivalët në tregje si Italia, Spanja dhe Franca — edhe pse Bashkimi Evropian ka vendosur tarifa shtesë për veturat elektrike kineze pas gjetjes së subvencioneve të padrejta shtetërore.
“Mbretëria e Bashkuar… është bërë si Kina. Të gjitha markat më të shitura janë kineze, sepse nuk ka barriera”, tha Munoz, duke iu referuar faktit se Londra nuk vendosi tarifa për importet kineze. Sipas të dhënave, më shumë se 9% e makinave të shitura në BE në gjysmën e parë të vitit ishin marka kineze, ndërsa në Britani 15% e regjistrimeve të reja ishin vetura kineze.
Në Shtetet e Bashkuara, importet e veturave elektrike kineze janë praktikisht të bllokuara me tarifa prej rreth 100%. Presidenti Donald Trump i tha Fox News javën e kaluar se do t’i mirëpriste prodhuesit kinezë të makinave — por vetëm nëse ndërtojnë fabrikat në territorin amerikan.
Paralajmërimi i Munoz-it i bashkohet atyre të Detroit-it: shefi ekzekutiv i Ford, Jim Farley, deklaroi në korrik se kompania po përgatitet për një hyrje të mundshme të prodhuesve kinezë në tregun amerikan brenda 5-10 viteve të ardhshme.
Në të njëjtën kohë, Hyundai njoftoi se e ka shtyrë lancimin e sistemit të saj të drejtimit të asistuar Level 2++ për fundin e vitit 2029 — nga plani i mëparshëm për fundin e 2027 — ndërkohë që kompania po bashkëpunon me Nvidia për modelet që priten në 2028.
Burimi: Reuters