Saturday, 15 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaShembet kanali vaditës në Elbasan, bllokohet prej orësh aksi drejt Cërrikut, uji e dherat vërshojnë në rrugë!

Shembet kanali vaditës në Elbasan, bllokohet prej orësh aksi drejt Cërrikut, uji e dherat vërshojnë në rrugë!

Një ngjarje dramatike ka ndodhur sot në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në afërsi të fshatit Kuqan, i cili është bllokuar prej rreth tri orësh.

Shkak u bë shembja e një gjatësie prej 20 metra linear të një kanali vaditës nga më të mëdhejtë dhe më rëndësishmit e rajonit të Shqipërisë së Mesme.

Nga dëmtimi i kanalit, uji ka dalë jashtë shtratit, duke marrë me vete edhe sasi dheu e materialesh nga kodrat përreth. Uji dhe dheu kanë përfunduar në rrugë, duke vështirësuar dhe më pas bllokuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment.

Situata ka krijuar probleme të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në aksin Elbasan-Cërrik, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i ndërprerë në zonën e prekur. Ende nuk dihet nëse shembja e kanalit është shkaktuar nga amortizimi i strukturës apo nga faktorë të tjerë, ndërsa prania e ujit dhe e dherave në karrexhatë paraqet rrezik edhe për sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Pritet ndërhyrja e strukturave përgjegjëse për largimin e dherave dhe ujit nga rruga, si dhe për rikthimin e kanalit në funksion, në mënyrë që aksi Elbasan–Cërrik të hapet për qarkullimin e automjeteve.

Autoritetet thanë se deri në normalizimin e situatës, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në këtë aks duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjen pranë zonës së dëmtuar.

Lini një koment